2022
Në 31 maj 2022, AAB zhvilloi një leksion të hapur me studentët me studentë të vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik, Dega Financë – Bankë, në Universitetin Europian të Tiranës (UET). Leksioni mbi “Bakingun Personal” u drejtues nga znj. Iva Ikonomi (Zheku), Drejtore e Shitjes me Pakicë, Fibank, e cila u foli studentëve mbi marrëdhënien me bankën, huamarrjen, transparencën dhe përdorimin e produkteve dhe shërbimeve bankare. Ky event u organizua në kuadër të promovimit të edukimit financiar dhe bashkëpunimit me akademinë.
Në datën 30 Mars 2022, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), organizuan për të katërtën herë Kuizin e Parasë, me pjesëmarrjen e 360 nxënësve të moshës 13-15 vjeç nga 58 shkolla nga i gjithë vendi. Konkursi u zhvillua online dhe u shfaq në Livestream në kanalin AAB në YouTube. Pjesëmarrësit konkurruan në bazë ekipore të organizuar përmes platformës online Kahoot!
Studentët pjesëmarrës u përshëndetën nga zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani, dhe Sekretari i Përgjithshëm i AAB, z. Spiro Brumbulli.
Ekipi fitues është i shkollës jopublike 12-vjeçare “Hafiz Ali Podgorica” në Durrës dhe përbëhet nga nxënësit: Arbër Kertalli dhe Besart Ceka.
Skuadra fituese e vendit të dytë është nga shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë dhe përbëhet nga Redon Shehu dhe Lidra Shehu.
Skuadra fituese e vendit të tretë është e shkollës 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan dhe përbëhet nga Mishel Balla dhe Anelia Shehu.
Skuadra fituese do të konkurrojë duke përfaqësuar Shqipërinë në finalen e Kuizit Europian të Parasë, e cila do të zhvillohet online më 10 maj 2022.
Një falenderim i veçantë për mësueset Raimonda Estrefi, Etilda Muhaj dhe Jugerta Kabashi që mundësuan organizimin dhe përgatitjen e ekipeve fituese.
Fituesit e 3 vendeve të para në konkurs do të shpërblehen me çmimet e mundësuara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si më poshtë:
Vendi i parë – 40 000 lekë
Vendi i dytë – 30 000 lekë
Vendi i tretë – 20 000 lekë
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të shpërblejë me dhurata simbolike mësuesit e ekipeve fituese.
Falenderojmë të gjithë nxënësit dhe mësuesit e angazhuar në realizimin e këtij konkursi!
Në datat 24 dhe 25 Mars 2022, në kuadër të Javës së Parasë, në bashkëpunim me bankat anëtare, AAB organizoi leksione të hapura me temë “Rinia dhe Bankingu Digjital”. Përfaqësuesit e bankës ndërgjegjësuan studentët për rëndësinë e kulturës financiare si pjesë e arsimit të përgjithshëm. Gjatë leksioneve u prezantua prioriteti që kanë bankat drejt plotësimit të nevojave të klientëve përmes kanaleve digjitale, pasi ndryshimi i sjelljes konsumatore i detyron bankat të ofrojnë produkte dhe shërbime jo vetëm në mënyrë tradicionale.
E ardhmja i përket mënyrës digjitale!
Leksionet u organizuan në bashkëpunim me disa universitete:
- Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN)
- Universiteti Epoka
- Fakulteti i Ekonomisë,
- Universiteti i Tiranës
- Universiteti Europian i Tiranës
- Universiteti i Biznesit i Tiranës (TBU)
- Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër,
- Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan.
Më datë 23 mars 2022, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një leksion të hapur në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë (UMSh) me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike. Aktiviteti është pjesë e organizimeve të AAB-së në kuadër të Javës së Parasë, javë e dedikuar edukimit financiar.=
Aktiviteti u hap nga Prof.Asoc.Dr. Orkida Ilollari, Drejtore e Programeve Master, në UMSh e cila informoi pjesëmarrësit më gjerë mbi qëllimin e organizimit.
Të pranishmit u përshëndetën nga Dr. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB, i cili njohu audiencën me iniciativat e ndërmarra, si dhe rëndësinë që shoqata i kushton edukimit financiar si një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së saj.
Leksioni u mbajt nga znj. Irida Huta, Kryetare e Komitetit të Pagesave, Kartave, Digjitalizimit & Kanaleve Alternative në AAB, si dhe Drejtuese e Sektorit të Kartave dhe Kanaleve Alternative në OTP Bank Albania. Ajo prezantoi orientimin dhe përparësinë që bankat kanë drejt plotësimit të nevojave të klientëve nëpërmjet kanaleve digjitale.
Znj. Ilollari vijoi diskutimin gjatë të cilit u drejtuan pyetje mbi bankingun digjital.
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) më datë 9 shkurt 2022, promovoi në mjediset e shkollës “Emin Duraku” në Tiranë, botimin në shqip të librit “Hapat e parë në financë”. Promovimi i librit u bë në prani të drejtoreshës dhe nxënësve të klasave të nënta të shkollës, të cilët ndoqën me interes prezantimin.
Veprimtaria promovuese vijoi me informimin mbi konkursin “Kuizi i Parasë”. Ky konkurs do të organizohet në 30 mars nga AAB.
Në 8 Shkurt 2022, Sekretari i Përgjithshëm i AAB, z. Spiro Brumbulli , ishte i ftuar në forumin e organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës (UET)
për të bashkëbiseduar për “Kriptomonedhat në tregun shqiptar” me studentët e ekselencës të cikleve të studimit bachelor dhe master në Departamentin e Ekonomiksit dhe Financës.