2024
𝘔𝘣𝘳𝘰𝘫𝘮ë 𝘷𝘦𝘱𝘳𝘪𝘮𝘵𝘢𝘳𝘪𝘯ë 𝘣𝘢𝘯𝘬𝘢𝘳𝘦, 𝘮𝘣𝘳𝘰𝘫𝘮ë 𝘷𝘦𝘵𝘦𝘯
Në kuadër të muajit tetor, i cili njihet ndërkombëtarisht si Muaji i Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, AAB ka ndërmarrë një iniciativë të gjerë për edukimin e brezit të ri përmes një serie leksionesh të hapura në universitetet kryesore të vendit. Ky angazhim i AAB-së synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e sigurisë në botën digjitale, duke kontribuuar në thellimin e njohurive dhe praktikave mbrojtëse kundër kërcënimeve kibernetike.
Gjatë muajit, AAB ka vizituar disa universitete në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, duke përfshirë Universitetin Polis, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universitetin Europian të Tiranës, Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Tirana Business University College, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin Metropolitan Tirana. Këto leksione u drejtuan nga ekspertë të fushës, anëtarë të Komitetit të Sigurisë Kibernetike të AAB-së dhe profesionistë të institucioneve të ndryshme financiare dhe të sigurisë në Shqipëri, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe këshilla praktike mbi masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Pjesëmarrësit e këtyre leksioneve patën mundësinë të mësojnë nga ekspertë si znj. Blerina Tushe nga Banka Kombëtare Tregtare, z. Reglendi Xhango nga OTP Bank Albania, znj. Entela Prifti nga Raiffeisen Bank, z. Ermal Galo nga Union Bank, dhe Fatjon Muca nga Fibank Albania, të cilët diskutuan mbi tema të ndryshme si sfidat dhe kërcënimet e sigurisë kibernetike në sektorin bankar, strategjitë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe institucionale, dhe masat që duhet të ndërmerren për të shmangur rreziqet online.
AAB mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me institucionet arsimore, duke kontribuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për një të ardhme më të sigurt në epokën digjitale. Kjo nismë do të vijojë të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me universitetet dhe profesionistët e fushës, duke shërbyer si një platformë për edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kursimeve, AAB, në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation (DISK Albania), organizoi një aktivitet trajnues “Loja e Kursimeve” nga data 31 tetor deri më 1 nëntor. Ky seminar interaktiv dy-ditor mblodhi 55 pjesëmarrës, përfshirë punonjës të rinj bankash, praktikantë, dhe studentë nga Universiteti i New York-ut në Tiranë dhe Universiteti Polis.
Në përputhje me angazhimin e AAB për edukimin financiar, trajnimi theksoi aftësi praktike për hartimin e buxhetit të familjes dhe mbledhjen efektive të kursimeve. Pjesëmarrësit u angazhuan në mësimin e bazuar në përvoja, duke përfshirë parime bazë ekonomike për menaxhimin e financave personale dhe zgjedhjen e institucioneve të besueshme për kursimet e tyre. Ky aktivitet shërbeu si një mundësi praktike dhe argëtuese për të rritur njohuritë financiare dhe për të ndërtuar zakone të qëndrueshme kursimi.
Për të dytin vit radhazi, AAB iu përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët duke marrë pjesë në një nga panelet informuese të Rin Camp 2024.
Këtë vit, Rin Camp u zhvillua nga data 30 gusht deri më 2 shtator 2024 në Dhërmi, Vlorë, dhe mblodhi së bashku 100 të rinj të moshës 20-26 vjeç, me synim aktivizimin dhe mbështetjen e tyre në fushën e angazhimit rinor, zhvillimin e kapaciteteve personale dhe profesionale, dhe fuqizimin e tyre përmes një sërë aktivitetesh dhe paneleve informuese. Aktiviteti u organizua në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 dhe ishte një bashkëpunim i Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët me Agjencinë Kombëtare të Rinisë.
Më 30 gusht, z. Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, së bashku me z. Albert Shehu, drejtor i bankingut individual në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), z. Gjergj Karasani, përgjegjës i sektorit të menaxhimit të kredive në Credins Bank dhe znj. Alma Derraj, drejtore e departamentit të menaxhimit të kanaleve alternative në Union Bank, morën pjesë në panelin informues “Edukimin financiar dhe përgjegjësinë financiare”. Ata bashkëbiseduan me audiencën për tema si: digjitalizimi, kredia, normat e interesit, këshillat financiare dhe siguria kibernetike.
Të udhëhequr nga besimi se investimi në gjeneratën e ardhshme është një investim në të ardhmen e vendit tonë, AAB dhe bankat anëtare të saj, ndër vite kanë marrë pjesë aktive në iniciativa të shumta që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Fituesit kombëtarë të Shqipërisë garojnë në finalen evropiane
Finalja e Kuizit Evropian të Parasë 2024 u zhvillua në Bruksel më 19 Prill, ku konkurruan skuadra nga 26 vende. Skuadra shqiptare e përbërë nga Edea Blaceri dhe Martin Leci nga shkolla “Imelda Lambertini” në Elbasan, u rendit në vendin e 19-të. Tre skuadrat fituese të Kuizit Evropian të Parasë 2024 ishin nga Austria, Republika Çeke dhe Maqedonia e Veriut.
Gjithashtu, skuadra shqiptare mori pjesë në ceremoninë e njoftimit të hapjes së Bursës në Belgjikë. Ata e fituan këtë privilegj pasi u renditën ndër tre fituesit e një konkursi të shkurtër të organizuar gjatë aktivitetit.