Zhvillohet ceremonia e hapjes së konkursit të mësimit të tregut të aksioneve
04 October 2024

Më 4 tetor 2024, u organizua online ceremonia e hapjes së konkursit “Stock Market Learning Competition” (Knkursi i mësimit të tregut të aksioneve), i cili është një lojë edukative që organizohet nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe DISK Albania (German Sparkassenstiftung for International Cooperation). Ky konkurs ofron një mundësi më shumë për të mësuar mbi tregun e aksioneve nëpërmjet një përvoje argëtuese dhe praktike.
Zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë dhe Znj. Anja Deizner, Drejtore e Zyrës në Shqipëri dhe Drejtuese Rajonale në Europën Juglindore e German Sparkassestiftung for International Cooperation, përshëndetën pjesëmarrësit dhe theksuan rëndësinë e edukimit financiar për të ardhmen.
Sekretari i përgjithshëm i AAB, z. Spiro Brumbulli përshëndeti pjesëmarrësit, duke vënë në dukje se edukimi financiar është një nga pesë shtyllat kryesore të veprimtarisë së AAB. Ai nënvizoi se AAB dhe Banka e Shqipërisë kanë qenë institucione udhëheqëse në promovimin e edukimit financiar në vend për të gjitha moshat, duke e konsideruar menaxhimin e parave një aftësi thelbësore në çdo aspekt të jetës. Strategjia kombëtare e edukimit dhe përfshirjes financiare është e orientuar drejt përmirësimit të njohurive financiare në të gjitha segmentet e tregut.
Në këtë edicion të “Stock Market Learning Competition” marrin pjesë 72 punonjës nga 11 banka të ndryshme, të ndarë në 19 skuadra, të cilët do të garojnë për një periudhë katër-mujore, deri më 24 janar 2025. Nëpërmjet fondeve virtuale për të investuar në dispozicion, pjesëmarrësit do të konkurrojnë për të arritur kthime sa më të larta nga portofoli i tyre. Në përfundim të konkursit, AAB do të shpërblejë me çmime 3 skuadrat që do të arrijnë vlerën më të lartë të portofolit të tyre virtual.