AAB mirëpret Bizum për prezantimin e përvojës spanjolle në fushën e pagesave të menjëhershme

Digjitalizimi i pagesave dhe zhvillimi i pagesave të menjëhershme po ndryshojnë mënyrën se si individët dhe bizneset kryejnë transaksionet financiare. Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërmjet bankave dhe zhvillimi i zgjidhjeve të përbashkëta të pagesave marrin rëndësi për zgjerimin e përdorimit të pagesave digjitale dhe krijimin e alternativave konkurruese në treg.
Më 15 tetor, në Tiranë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) mirëpriti përfaqësues të Bizum për një prezantim mbi përvojën e Spanjës në zhvillimin e pagesave të menjëhershme dhe mundësitë e përshtatjes së këtij modeli në Shqipëri dhe në rajon.
Bizum është një zgjidhje e zhvilluar përmes bashkëpunimit ndërmjet bankave, e bazuar në transfertat e menjëhershme nga llogaria në llogari (account-to-account). Nga transfertat ndërmjet individëve, shërbimi është zgjeruar në pagesat në tregtinë elektronike dhe në pikat fizike të shitjes, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese të pagesave dhe integrimin me aplikacionet bankare.
Prezantimi, ku morën pjesë përfaqësues të bankave të angazhuar në fushën e pagesave, trajtoi modelin e funksionimit dhe të bashkëpunimit të Bizum, ndërveprueshmërinë me zgjidhjet e tjera të pagesave, si dhe përfitimet e mundshme për bankat dhe tregtarët, përfshirë kostot dhe zhvillimin e shërbimeve të reja.
Diskutimet u përqendruan te mundësitë që ofron kjo përvojë për tregun shqiptar, duke marrë në konsideratë infrastrukturën kombëtare të pagesave, rolin e bankave dhe perspektivën e zhvillimit të zgjidhjeve të ndërveprueshme në nivel rajonal.



