Workshop mbi edukimin financiar për gratë në punë

Më 19 mars, AAB organizoi workshopin “Edukimi Financiar për Gratë në Punë: Menaxhimi i Parasë dhe Qasja në Shërbimet Bankare”, një iniciativë që synon të fuqizojë gratë përmes njohurive financiare. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me shoqërinë HAKO, duke krijuar një hapësirë për diskutim mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron sektori bankar.

Workshopi u hap nga z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së, dhe zj. Antonela Hako, CEO e HAKO sh.p.k. dhe Kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas, të cilët theksuan rëndësinë e edukimit financiar si një mjet për pavarësinë ekonomike dhe zhvillimin profesional të grave. Përfaqësueset e ProCredit Bank, Erinda Ropi dhe Nertila Lamçe, prezantuan një pasqyrë të gjerë mbi produktet dhe shërbimet bankare, duke përfshirë mundësitë e financimit dhe kreditimit për individët dhe bizneset, si dhe opsionet për kursime dhe investime bankare.

Një fokus i veçantë iu kushtua sigurisë në përdorimin e platformave bankare digjitale, me theks tek parandalimi i mashtrimeve dhe skemave të rrezikshme online, si dhe masat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare. Gjithashtu, pjesëmarrëset diskutuan mbi alternativa për menaxhimin e kursimeve, duke përfshirë skemat e sigurimit privat të pensioneve dhe investimet në letra me vlerë.

Atmosfera interaktive e workshopit krijoi mundësinë për pjesëmarrësit të ndajnë përvojat e tyre dhe të marrin këshilla praktike mbi menaxhimin e financave personale, duke e kthyer këtë aktivitet në një hap konkret drejt një qasjeje më të sigurt dhe të informuar ndaj shërbimeve bankare.

SHARE