2013

AAB organizoi në datat 11-13 tetor 2016, me mbështetjen financiare të House of Training (ATTF Luxemburg) seminarin me temë “Financimi i SME-ve: Nga Plani i Biznesit tek financimi i Bankës”. Trajnimi u drejtua nga eksperti André Taymans dhe u ndoq nga 25 pjesëmarrës të 9 bankat anëtare. Tre objektivat kryesore të seminarit ishin:

  • përmirësimi i ekspertizës teknike dhe tregtare të punonjësve të bankës në dobi të marrëdhenies së tyre me SME-të që aplikojnë për një kredi për të financuar zhvillimin e aktiviteteve të tyre;
  • të kuptuarit më mirë se çfarë është një kërkesë për kredi “që ja vlen për t’u mbështetur” duke marrë për bazë projektin e biznesit dhe plan biznesin;
  • përmirësimi i të kuptuarit të fjalëve kyçe në financimin e SME-ve: “Informacion” – “Përpunimi i informacionit” – “Përdorimi i informacionit”

Në 12 Shtator 2013, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) organizoi në ambientet e “Sky Hotel”, një trajnim me temë “Mbi përmirësimin e raportimeve të transaksioneve të dyshimta dhe analizimit”. Në këtë tryezë morën pjesë Z. Agron Kaja, Zv. Drejtor i Përgjithshëm, Z. Aleks Marku, Përgjegjës i Sektorit të Legjislacionit dhe Trajnimit dhe Z. Artan Shiqerukaj, Përgjegjës i Sektorit të Analizës Strategjike nga DPPP; përgjegjësit e përputhshmërisë dhe specialistë në çështje të parandalimit të pastrimit të parave në bankat tregtare; Zj. Mirjana Goxharaj, Shefe e Sektorit të Përputhshmërisë dhe AML në Departamentin e Mbikëqyrjes dhe Zj. Zamira Asllani nga Banka e Shqipërisë.

Në fjalën e saj të hapjes Zj. Xhaferaj u shpreh se ky takim vjen në vazhdën e takimeve të tilla mes Autoritetit dhe bankave, me qëllim përmirësimin e punës dhe aktivitetit të të dy palëve, dhe ka për qëllim diskutimin dypalësh mbi tipologjitë dhe risitë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, dhe veçanërisht mbi raste konkrete të raportuara nga bankat për të nxjerrë në pah mangësitë apo ç’duhet bërë më mirë.

Z. Kaja në fjalën e tij falënderoi AAB për gatishmërinë dhe bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e punës si një ekip i vetëm me qëllim zbatimin e drejtë dhe të përpiktë të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi. Ai theksoi se DPPPP ka vlerësuar përmirësimin dhe shtimin e numrit të raportimeve të aktiviteteve të dyshimta nga sistemi bankar, por evidentohen ende problematika dhe mangësi në drejtim të cilësisë. Ai u shpreh se përveç diskutimit të rasteve konkrete, në këtë takim mirëpritet dhe çdo rekomandim apo vërejtje e sistemit bankar me qëllim shkëmbimin e informacioneve cilësore dhe të sakta, që të bëhet e mundur dhe ndjekja e mëtejshme e rasteve të evidentuara në organet e tjera kompetente.

Zj. Goxharaj, duke përshëndetur organizimin e takimeve të përbashkëta theksoi se Banka e Shqipërisë ka miratuar tashmë Rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, e cila është hartuar në frymën e ndryshime të bëra në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” si dhe të rekomandimeve të Moneyval.
Pjesëmarrësit në takim u ndalën më gjerësisht në problematika më teknike të hasura gjatë raportimit apo gjatë analizës të raportimeve, si dhe diskutuan mbi mënyrat më të mira për ti adresuar ato në të ardhmen.

Tiranë, 28 Maj, 2013 – Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e grupit të Bankës Botërore, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB), organizoi një Seminar për bankat tregtare në vend, si pjesë e një programi më të zgjeruar mbi energjinë e rinovueshme në Ballkan (BREP).

Në Shqipëri, BREP bashkëpunon me Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës me qëllim përforcimin e kuadrit rregullator të sektorit të energjisë së rinovueshme, si dhe me investues vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për projektet e energjisë së rinovueshme. Së fundmi, BREP ka filluar një trajnim të veçantë të ndërtimit të kapaciteteve për bankat tregtare shqiptare. Objektivi kryesor i përpjekjeve, përbërë nga një seri seminaresh për bankat e Ballkanit Perëndimor, është të prezantojë tregun potencial për investime në projektet e energjisë së rinovueshme në rajon, si dhe rreziqet më karakteristike që shoqërojnë këto projekte.

“Qëllimi kryesor i aktivitetit të organizuar sot në Tiranë, ishte prezantimi i IFC Advisory Services (Shërbime konsulence) të cilat ofron IFC, si dhe oferta e investimeve të korporatës. IFC Advisory Services prezantoi një paketë të veçantë trajnimesh, drejtuar bankave në vend, të cilat përpiqen t’u mundësojnë bankave vlerësimin e aplikimeve të kreditimit shoqëruar me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në rajon. Së fundi, IFC dëshiron të ndihmojë bankat të fokusohen në përpjekjet e financimit të projektit. Ndërkohë, shërbimet e investimit të IFC prezantojnë produkte financiare specifike për të financuar projekte për energjinë e rinovueshme” deklaroi Nebojsa Arsenijevic, menaxheri i IFC BREP.

Zj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Shqiptare të Bankave, përshëndeti iniciativën e ndërmarrë nga IFC, në vazhdën e iniciativave të tjera të këtij lloji, që mundësojnë aksesin e bankave në segmente të reja të tregut të kredidhënies në vend, me synim njëkohësisht edhe zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme. Zj. Xhaferaj theksoi se Shoqata Shqiptare e Bankave do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla në të ardhmen.

Këto aktivitete synojnë rritjen e kapaciteteve të brendshme të bankave tregtare në vend, si dhe nivelin e njohurive të oficerëve të kredive në banka në lidhje me rreziqet teknike, ligjore, të mjedisit, sociale dhe financiare të cilat shoqërojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Ballkanin Perëndimor.

Të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësues të niveleve të larta drejtuese të bankave tregtare në vend.