Leksion i hapur mbi bankingun universal në epokën digjitale në Universitetin EPOKA

Më 11 dhjetor, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) zhvilloi një leksion të hapur në Universitetin EPOKA me studentët e programeve Bachelor në Ekonomiks, Financë dhe Bankë, si dhe Informatikë Biznesi, me qëllim afrimin e sektorit bankar me botën akademike dhe nxitjen e përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm të fushës së financës dhe bankingut.

Leksioni u mbajt nga znj. Xhilda Shehu, Head of Mass Clients Department – Retail Division në Intesa Sanpaolo Bank, e cila prezantoi temën “Bankingu universal në epokën digjitale”.

Gjatë prezantimit, znj. Shehu u ndal në transformimin që po përjeton sektori bankar nën ndikimin e teknologjisë dhe digjitalizimit, duke theksuar ndryshimet në modelet tradicionale të funksionimit, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve digjitale, si dhe rëndësinë e inovacionit dhe qasjes së orientuar drejt klientit.

Në fokus të diskutimit ishin përfitimet që sjell bankingu digjital, përfshirë rritjen e efikasitetit, aksesueshmërinë më të madhe të shërbimeve dhe përmirësimin e eksperiencës së klientit, por edhe sfidat me të cilat përballet industria bankare, si nevoja për përditësimin e sistemeve, menaxhimin e ndryshimit dhe zhvillimin e aftësive të reja profesionale.

Studentët u përfshinë aktivisht gjatë leksionit përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke lidhur njohuritë teorike të fituara në auditor me praktikat reale të industrisë financiare dhe bankare.

SHARE