AAB merr pjesë në prezantimin e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

Në datën 17 korrik, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit znj. Delina Ibrahimaj organizoi prezantimin e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Financave z. Petrit Malaj, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit z. Blendi Gonxhe, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Andi Salla, Ministri i Shtetit për Pushtetin Lokal z. Ervin Demo dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko.
Ishin të pranishëm përfaqësues të biznesit dhe industrisë bankare.
Z. Bledar Shella, President i AAB, në fjalën e tij shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e sektorit bankar për produktin e ri të financimit të biznesit të vogël dhe të mesëm me normë interesi të ulët dhe mbështetje me garanci shtetërore. Bankat mbështesin momentin e ekonomisë shqiptare dhe sfidën e anëtarësimit në BE. Bizneset tona duhet të jenë gati të konkurrojnë në një ambient të ri dhe me standarde të reja.
Z. Dritan Mustafa, anëtar i Bordit Mbikëqyrës të AAB, theksoi rëndësinë e përgatitjes nga ana operacionale të bankave për t’i shërbyer fluksit që ky produkt do të sjellë në sportelet e bankave.

