Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2026

AAB, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe partnerë institucionalë, i bashkohet edhe këtë vit organizimit të Javës Globale të Parasë, duke shënuar vitin e 12-të të zhvillimit të kësaj nisme në Shqipëri.

Ky vit ka një domethënie të veçantë, pasi përkon me 100-vjetorin e monedhës kombëtare shqiptare, duke e lidhur historinë me të ardhmen dhe rëndësinë e edukimit financiar në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.

Në fjalën përshëndetëse, z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB, theksoi se sot financat po kalojnë një transformim të thellë digjital, ku pagesat dhe shërbimet bankare janë vetëm një klik larg, por paralelisht rritet edhe nevoja për njohuri mbi sigurinë dhe mbrojtjen nga mashtrimet kibernetike. Ai nënvizoi se edukimi financiar duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, që nis që në moshë të hershme dhe shtrihet përtej aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe znj. Herida Duro, Zëvendës Ministre e Arsimit, të cilët theksuan rëndësinë e edukimit financiar për mirëqenien e shoqërisë dhe përgatitjen e të rinjve për sfidat e së ardhmes.

Përpos ceremonisë së 17 marsit, gjatë kësaj jave do të organizohen aktivitete të shumta edukative në të gjithë vendin, leksione të hapura, konkurse dhe nisma ndërvepruese,  me synim fuqizimin e të rinjve për të marrë vendime financiare të zgjuara.

Bankat anëtare të AAB: Banka Kombëtare Tregtare, Credins Bank, ProCredit Bank, Tirana Bank dhe Union Bank vijojnë të kontribuojnë aktivisht në këtë nismë, duke mbështetur konkurset edukative, fituesit e të cilëve ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Gjithashtu Raiffeisen Bank Albania mbështet pjesëmarrjen e ekipit fitues në Kuizi Evropian të Parasë në Bruksel.

Edukimi financiar nuk është vetëm një aktivitet, është një investim afatgjatë për një shoqëri më të informuar dhe një ekonomi më të qëndrueshme.

SHARE