Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2024
Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!

Shoqata Shqiptare të Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në datat 18 – 24 mars 2024, festojnë Javën e Parasë 2024, nën sloganin “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!”.

Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë 2024, u organizua në mjediset e Bankës së Shqipërisë, më 18 mars 2024. Aktivitetin e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë; zj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit; dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të AAB-së, z. Shella, në fjalën e tij solli në vëmendje përfshirjen e AAB-së dhe bankave në iniciativat dhe projektet e përbashkëta, dhe shprehu përkrahjen e mëtejshme për çdo iniciativë të përbashkët që do të kontribuojë në përmirësimin e njohurive mbi paranë dhe financat, me prioritet edukimin e brezave të rinj. Përveç mbështetjes së veprimtarive të organizuara dhe përfshirjen e ekspertëve nga bankat në leksionet e hapura, z. Shella përmendi dhe Kuizin e Parasë, një tjetër iniciative dhe nismë e veçantë e AAB-së në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Finalja kombëtare do të realizohet më 20 mars 2024, me pjesëmarrjen e rreth 900 nxënësve. Fituesit do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen e Kuizit Evropian të Parasë më 19 prill në Bruksel, organizuar nga Federata Evropiane e Bankave.

Aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë dhe të shpallura më parë. Këto konkurse u mbështetën nga bankat anëtare të AAB-së.

  1. Konkursi “Vizatimi më i mirë”, në të cilin u paraqitën për konkurrim më shumë se 350 vizatime nga nxënësit e klasave III-ta prej më shumë se 80 shkollave 9-vjeçare nga e gjithë Shqipëria. Konkursi u mbështet nga ABI Bank.
  2. Konkursi “Projekti më i mirë”, gjithsej në konkurs u paraqitën 78 projekte, të realizuara nga rreth 2,300 nxënës të 50 shkollave 9-vjeçare të vendit. Konkursi u mbështet nga Credins Bank.
  3. Konkursi “Fotomontazhi më i mirë”, ku u paraqitën 76 fotomontazhe, të realizuara nga nxënës të 40 shkollave 9-vjeçare të vendit. Konkursi u mbështet nga Raiffeisen Bank.
  4. Konkursi “Video më e mirë”, në të cilin u paraqitën 45 video, të realizuara nga 75 nxënës të 27 shkollave të mesme të vendit. Konkursi u mbështet nga Union Bank.
  5. Konkursi “Eseja më e mirë” me temë “Era e re e sigurisë kibernetike në botën e biznesit”. Gjithsej në konkurs u paraqitën 10 punime, të realizuara nga studentë të 7 universiteteve publike dhe jopublike të vendit. Konkursi u mbështet nga Banka Kombëtare Tregtare.

GALLERY

SHARE