AAB organizoi Darkën Festive të Vitit të Ri 2024
Më 18 dhjetor 2024, AAB organizoi mbrëmjen festive të Darkës së Fundvitit 2024, një traditë e rëndësishme që bashkon drejtues dhe përfaqësues të nivelit të lartë të sistemit financiar dhe bankave anëtare të AAB-së. Në këtë event, ishin të ftuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi arritjet kryesore ekonomike të vitit 2024. Ndër të tjera ai përmendi se: “Gjatë këtij viti, ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej rreth 4%, duke gjeneruar më shumë punësim, paga më të larta dhe të ardhura për familjet dhe bizneset. Inflacioni u përgjysmua, duke rënë në 2.2%, dhe sektori bankar vazhdoi të luajë një rol vendimtar si ndërmjetës financiar efektiv, duke nxitur një rritje të fortë të kredisë me rreth 16% më shumë se një vit më parë. Rezultatet e qëndrueshmërisë financiare dëshmojnë për forcën dhe stabilitetin e sektorit bankar shqiptar.”
Presidenti i AAB-së, z. Bledar Shella, në mesazhin e tij për të pranishmit, vlerësoi rolin e sektorit bankar në zhvillimin ekonomik të vendit. Bashkëpunimi rajonal dhe partneritetet strategjike kanë qenë në qendër të veprimtarisë së AAB-së gjatë vitit 2024, duke u fokusuar në projekte që mbështesin përmirësimin e qasjes në shërbime financiare dhe fuqizimin e stabilitetit financiar. Viti 2024 dëshmoi edhe njëherë rëndësinë e sektorit bankar në rritjen ekonomike dhe mbështetjen për familjet dhe bizneset shqiptare.
Shella theksoi se: “Viti 2024 ka qenë një vit i rëndësishëm për AAB-në, e cila festoi 25-vjetorin e themelimit të saj. Përfundimi i projektit të Open Banking ishte një hap drejt inovacionit dhe digjitalizimit, duke mundësuar qasje më të lehtë dhe më të integruar për klientët. Nënshkrimi i marrëveshjes strategjike me IFC për zhvillimin e shërbimeve digjitale financiare dhe përgatitja e projektligjit për Byronë e Kredisë janë arritje thelbësore që përmirësojnë transparencën financiare dhe menaxhimin e riskut në kreditim. Po ashtu, ne vazhduam të forcojmë bashkëpunimin rajonal me partnerët tanë, përfshirë Shoqatën e Bankave të Kosovës, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi për ndarjen e përvojave në mbështetje të qëllimeve tona të përbashkëta. ”
Mbrëmja u shoqërua me një atmosferë festive, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë momente të këndshme, duke mirëpritur një vit të ri me sfida dhe arritje të reja.