AAB dhe SHBK për forcimin e bashkëpunimit

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) organizuan më 15 prill një takim, ku në qendër të vëmendjes ishte intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy shoqatave dhe trajtimi i sfidave të përbashkëta që sjell perspektiva e re e sektorit bankar.
Takimi, përveç shkëmbimit rutinë të përvojës, u fokusua në ndarjen e vizioneve, analizimin e trendeve të tregut dhe identifikimin e mundësive konkrete ku bashkëpunimi mund të krijojë vlerë të shtuar. Në një kontekst rajonal gjithnjë e më të ndërlidhur, me sfida të përbashkëta, të dy shoqatat theksuan nevojën për afrim institucional të mëtejshëm.
Në qendër të diskutimeve ishin:
- Zhvillimet më të fundit në tregjet bankare të Shqipërisë dhe Kosovës
- Sfidat strukturore dhe karakteristikat unike të secilit sektor bankar
- Promovimi i inovacionit, digjitalizimit dhe edukimit financiar
- Bashkëpunimi për fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe për një rritje të qëndrueshme sektoriale
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB, ofroi një panoramë të detajuar të sektorit bankar shqiptar, duke theksuar domosdoshmërinë e përshtatjes me standardet e anëtarësimit të vendit në BE dhe nevojën për forcimin e stabilitetit financiar.
Ndërkohë, Z. Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i SHBK, nënvizoi angazhimin e sektorit bankar kosovar për ndarjen e praktikave më efektive dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme bashkëpunimi, me synimin për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në të dy vendet.