Zhvilloi punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”

Më 13 nëntor 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB) , çeli punimet e konferencës vjetore me temë “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”. E organizuar nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella, në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore; përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë; përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; të rretheve akademike në vend; përfaqësues të sistemit bankar e financiar; përfaqësues të medias; si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë.

Konferenca pati në fokus bankat qendrore dhe sistemin bankar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, reformat dhe sfidat e tashme dhe të ardhme që duhet të ndërmarrin ato dhe aktorët e tjerë në treg për ta bërë këtë proces dhe konvergjencën drejt BE-së, sa më eficient dhe me kosto sa më të ulët për të gjithë agjentët ekonomikë, sistemin financiar, ekonominë.

E konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella; Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Eduard Shalsi; Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori, zj. Majlinda Dhuka; dhe Ministri i Financave, z. Petrit Malaj.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kryefjala afatgjatë e vitit 2024 do të mbetet “dhënia e dritës jeshile” dhe fillimi në muajin tetor i procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Z. Bledar Shella, President i Shoqatës Shqiptare të Bankave përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se ky është një moment historik pasi Shqipëria, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq afër sa tani me atë pjesë të civilizimit, ekonomisë avangardë dhe shoqërisë së lirë, ku pozicioni ynë gjeografik na ka vendosur. Ai u shpreh se veprimtaria bankare, e cila prej disa vitesh, në fakt, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, nuk vjen në këtë territor e zbrazët. Tashmë edhe qëndrimet dhe oponenca ndaj ndryshimeve udhëhiqen plotësisht nga fakti nëse këto ndryshime janë në përputhje me standardet e BE-së apo jo. Kjo na ka bërë të provojmë më shpejt barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë për t’i shkuar këtij procesi pa rezistencë, por me dëshirë, me energji dhe besim.

Sesioni i parë i konferencës kishte për qëllim prezantimin e perspektivës së bankave qendrore në lidhje me përshtatjen e tyre jo vetëm përsa i përket aspekteve ligjore dhe rregullative, por edhe në terma të zbatimit të politikës monetare dhe mbikëqyrjes bankare, duke siguruar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si rrjedhojë dhe stabilitetin makroekonomik në vend.

Sesioni i dyti pati në fokus transformimin digjital dhe aspektet e lidhura me të që ndikojnë sistemin financiar, aksesimin, përdorimin, si dhe shpërndarjen e produkteve dhe shërbimeve financiare.

Sesioni i tretë, Paneli i Guvernatorëve u fokusua mbi strategjitë institucionale dhe perspektivën e bankave të rajonit në terma të objektivit të stabilitetit të çmimeve, sfidave me të cilat janë përballur, si pandemia Covid-19, lufta në Ukrainë, si dhe pasiguritë e shtuara gjeopolitike që vazhdojnë të jenë prezente në mjedisin global. Guvernatorët dhanë një vlerësim mbi situatën aktuale të procesit të konvergjencës drejt BE-së dhe alternativat për përshpejtimin e saj.

Për vitet në vazhdim, sfidat e ardhshme vijojnë të mbeten rreziqet kibernetike, digjitalizimi, inovacioni, ndryshimet klimatike. Për t’i adresuar këto sfida, sistemi financiar duhet të investojë më shumë për të përmirësuar kulturën financiare dhe atë financiare digjitale.

GALLERY

SHARE