Workshop mbi menaxhimin e financave dhe aksesimin e produkteve bankare për gratë sipërmarrëse

Më 21 nëntor 2024, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Gruas, organizoi workshopin me temë: “Menaxhimi i financave dhe aksesimi i produkteve bankare nga gratë në biznes”. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, e cila organizohet në datat 18-24 nëntor 2024 nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Ky event mblodhi rreth 25 gra sipërmarrëse nga biznese të vogla dhe të mesme, duke ofruar një platformë për ndarjen e përvojave dhe ideve mbi përmirësimin e aksesit në shërbimet financiare dhe produktet bankare.

Pjesëmarrësit u përshëndetën nga z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, dhe znj. Antonela Hako, Kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit bankar dhe grave sipërmarrëse për adresimin e sfidave dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.

Në diskutim morën pjesë znj. Soni Thano, Drejtore e Divizionit të Riskut në Credins Bank; znj. Orjola Baku, Drejtuese e Divizionit të Administrimit të Riskut në Intesa Sanpaolo Bank Albania, dhe znj. Genta Ciceri, Drejtore e Shitjeve dhe Rrjetit të Shpërndarjes në Raiffeisen Bank Shqipëri, të cilat ndanë praktikat dhe përvojat më të mira të institucioneve që përfaqësojnë.

Diskutimet u fokusuan në mundësitë që bankat ofrojnë për gratë në biznes, përfshirë financimin me kushte preferenciale, zhvillimin e produkteve të dedikuara dhe rritjen e qasjes në shërbimet digjitale. U evidentua gjithashtu rëndësia e mbështetjes ndaj iniciativave që fuqizojnë sipërmarrjet e drejtuara nga gratë, përmes trajnimeve dhe asistencës teknike, si dhe përqendrimi në financimin e bizneseve me komponentë ESG ( mjedisorë, socialë dhe atyre të qeverisjes).

Në përmbyllje, pjesëmarrëset diskutuan mbi nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar, si dhe për përmirësimin e komunikimit ndërmjet bankave dhe bizneseve. Si hap i mëtejshëm, u propozuan trajnime të dedikuara për përdorimin e shërbimeve e-banking, duke i hapur rrugën një bashkëpunimi më të ngushtë dhe efektiv në të ardhmen.

Ky workshop shënoi një hap të rëndësishëm në mbështetjen e grave sipërmarrëse, duke kontribuar në fuqizimin e tyre dhe në lehtësimin e aksesit të tyre në financa dhe shërbime bankare.

SHARE