Tryezë diskutimi mbi rolin e auditimit të brendshëm në promovimin e integritetit në sektorin bankar

Në kuadër të Javës së Integritetit, organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC Albania), Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), si anëtare e ICC, organizoi më 12 dhjetor 2024 tryezën e rrumbullakët me temë “Roli i auditimit të brendshëm në promovimin e integritetit në sektorin bankar”. Kjo javë, e fokusuar në ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e etikës, transparencës dhe përgjegjshmërisë në sektorin publik dhe privat, krijon një platformë për promovimin e vlerave të integritetit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit të biznesit.

Aktiviteti, i cili mblodhi përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, ICC Shqipëri dhe anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm në AAB, pati për qëllim theksimin e rëndësisë së integritetit, transparencës dhe përputhshmërisë në sektorin bankar, si dhe promovimin e etikës dhe kulturës korporative.

Agjenda e tryezës përfshiu prezantime mbi standardet e reja globale të etikës, si dhe rolin e auditimit të brendshëm në forcimin e llogaridhënies dhe integritetit në sektor. Gjatë diskutimit u sollën shembuj konkretë të praktikave më të mira dhe sfidave aktuale. Gjithashtu, u trajtuan politikat kundër mashtrimeve dhe korrupsionit, si dhe sistemi i brendshëm i sinjalizimit si një mekanizëm i rëndësishëm për menaxhimin e etikës dhe parandalimin e parregullsive.

Pjesëmarrësit, pas diskutimeve, dakordësuan:

• Rishikimin e kuadrit rregullator me fokus në mbrojtjen e konsumatorit, transparencën dhe shtimin e rezultateve në zbatim të ligjit për llogaritë bazike.
• Vijimin e tryezave të diskutimit për të ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet rregullatorëve dhe industrisë bankare.
• Bashkëpunim të mëtejshëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe avancimin e etikës në sektorin bankar.

Tryeza u mirëprit si një hap i rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të përforcuar praktikat më të mira në auditimin e brendshëm dhe përputhshmëri.

SHARE