Takim diskutimi mbi qasjen në financë dhe kreditimin e bujqësisë
Në datën 28 shkurt 2023, u zhvillua një takim diskutimi organizuar nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB), me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Adela Xhemali, zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Enio Civici dhe drejtues të bankave tregtare.
Në fjalën e tij, Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, z. Emanuel Salinas, u shpreh se qëllimi i kësaj tryeze është të diskutojmë mbi problemet qasjes në finance për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) dhe fermerët. Aksesi në financë është një problem jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë botën.
Guvernatori Sejko u shpreh, ndër të tjera, se sektori bankar në vend është i mirëkapitalizuar dhe likuid, si dhe mbështetja e tij për sektorin privat ka ardhur në rritje. Megjithatë, ai shtoi se sektori financiar mund të luajë një rol më të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike afatgjatë në vend.
Në takim, marrë shkas nga prezantimet nga përfaqësues të Bankës Botërore, u diskutua mbi skemat e garantimit për rritjen e kreditimit, për infrastrukturën financiare, për aspekte rregullative dhe ligjore, për diversifikimin e produkteve, dhe tek nevoja e financimit të bujqësisë.
Përfaqësuesit e bankave shtruan shqetësime që lidhen me bashkëpunimin e institucioneve shtetërore në zhvillimin e garancive, për zhvillime të reja në treg përveç kreditimit me kolateral, për uljen e informalitetit, qartësimin e pronësisë, gjetjen e skemave që lehtësojnë ndikimin e riskut të kredisë te kapitali rregullator, etj.
Në fund të takimit u ra dakord për ngritjen e një grupi pune që do të ndjekë dhe zhvillojë më tej në detaje propozimet e bëra në takim.