Skuadra shqiptare arrin vendin e katërt në finalen e Kuizit Evropian të Parasë!

Më 23 maj 2024, Brukseli mirëpriti finalen e Kuizit Evropian të Parasë, ku nxënës nga 30 vende të kontinentit u përballën në një garë të nivelit të lartë për të testuar njohuritë e tyre financiare.

Kjo nismë e Federatës Evropiane të Bankave (EBF), e konsideruar si konkursi më i madh i edukimit financiar për nxënësit 13–15 vjeç, synon fuqizimin e brezit të ri me aftësi të rëndësishme për të ardhmen, përmes një qasjeje dinamike dhe ndërvepruese.

Shqipëria u përfaqësua nga Eldior Myftaraj dhe Mikel Rama, nxënës të klasës së 9-të në shkollën “Drita Pelinku” në Tiranë, nën udhëheqjen e mësuesit Roland Pjetrushaj.

Në vitin e shtatë të pjesëmarrjes, skuadra shqiptare shënoi suksesin më të madh të deritanishëm për vendin tonë në këtë garë, duke u renditur në vendin e katërt në nivel evropian.

Përpos kompeticionit, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin Wikifin Lab, një qendër inovative edukimi financiar, të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së Bursës Euronext, si dhe të eksploronin Parlamentariumin – qendrën zyrtare të vizitorëve të Parlamentit Evropian.

Ky sukses thekson rëndësinë e edukimit financiar në moshat e reja dhe përbën një arritje të rëndësishme për Shqipërinë në arenën evropiane.

SHARE