Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave organizojnë takim mbi sigurinë kibernetike

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, organizoi një takim ndërgjegjësues me fokus në rëndësinë e sigurisë kibernetike për sistemin financiar shqiptar. Aktiviteti u organizua më 14 nëntor 2024 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bankës së Shqipërisë dhe të bankave anëtare të AAB-së.

Takimi kishte si objektiv kryesor adresimin e sfidave të përbashkëta në identifikimin dhe reduktimin e rreziqeve nga kërcënimet kibernetike, me qëllim mbrojtjen e të dhënave dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin bankar. Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë për forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj sulmeve kibernetike.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë fjalën kryesore nga eksperti i sigurisë kibernetike në Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Z. Khalid Simaan. Ai ofroi një panoramë të gjerë mbi sfidat dhe kërcënimet kibernetike, standardet rregullatorë ndërkombëtarë dhe praktikat më të mira për përballimin e tyre. Gjithashtu, në takim u theksua roli i rëndësishëm i bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe bankave anëtare të skemës së sigurimit të depozitave në forcimin e sigurisë së informacionit.

Shoqata Shqiptare e Bankave vlerëson këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe forcimit të kapaciteteve për përballimin e sfidave kibernetike, duke kontribuar në një sistem financiar më të sigurt dhe të qëndrueshëm.

SHARE