Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) rrit ndërgjegjësimin mbi sigurinë kibernetike përmes një serie leksionesh të hapura
𝘔𝘣𝘳𝘰𝘫𝘮ë 𝘷𝘦𝘱𝘳𝘪𝘮𝘵𝘢𝘳𝘪𝘯ë 𝘣𝘢𝘯𝘬𝘢𝘳𝘦, 𝘮𝘣𝘳𝘰𝘫𝘮ë 𝘷𝘦𝘵𝘦𝘯
Në kuadër të muajit tetor, i cili njihet ndërkombëtarisht si Muaji i Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, AAB ka ndërmarrë një iniciativë të gjerë për edukimin e brezit të ri përmes një serie leksionesh të hapura në universitetet kryesore të vendit. Ky angazhim i AAB-së synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e sigurisë në botën digjitale, duke kontribuuar në thellimin e njohurive dhe praktikave mbrojtëse kundër kërcënimeve kibernetike.
Gjatë muajit, AAB ka vizituar disa universitete në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, duke përfshirë Universitetin Polis, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universitetin Europian të Tiranës, Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Tirana Business University College, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin Metropolitan Tirana. Këto leksione u drejtuan nga ekspertë të fushës, anëtarë të Komitetit të Sigurisë Kibernetike të AAB-së dhe profesionistë të institucioneve të ndryshme financiare dhe të sigurisë në Shqipëri, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe këshilla praktike mbi masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Pjesëmarrësit e këtyre leksioneve patën mundësinë të mësojnë nga ekspertë si znj. Blerina Tushe nga Banka Kombëtare Tregtare, z. Reglendi Xhango nga OTP Bank Albania, znj. Entela Prifti nga Raiffeisen Bank, z. Ermal Galo nga Union Bank, dhe Fatjon Muca nga Fibank Albania, të cilët diskutuan mbi tema të ndryshme si sfidat dhe kërcënimet e sigurisë kibernetike në sektorin bankar, strategjitë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe institucionale, dhe masat që duhet të ndërmerren për të shmangur rreziqet online.
AAB mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me institucionet arsimore, duke kontribuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për një të ardhme më të sigurt në epokën digjitale. Kjo nismë do të vijojë të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me universitetet dhe profesionistët e fushës, duke shërbyer si një platformë për edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.
GALLERY