Seminar mbi menaxhimin e rrezikut klimatik për bankat
3 korrik 2024 – Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation (DISK) Albania, organizoi një seminar me temë “ESG Risk Radar: Një mjet për menaxhimin e rrezikut klimatik për bankat”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues nga nëntë banka, të cilët u mblodhën për të diskutuar mbi mjetet dhe strategjitë më të fundit në menaxhimin e rrezikut klimatik.
Znj. Violeta Haxhillazi, një eksperte e trajnuar nga German Sparkassenstiftung, drejtoi seminarin dhe ndau me pjesëmarrësit njohuritë e saj mbi rëndësinë e përdorimit të mjeteve Risk Radar dhe Green Finance Compass. Ajo theksoi prakticitetin dhe efektivitetin e këtyre mjeteve në menaxhimin e rreziqeve klimatike, duke u mundësuar pjesëmarrësve njohuri të vlefshme për integrimin e tyre në praktikat e menaxhimit të rrezikut.
Ky seminar gjithashtu shënoi përvjetorin e parë të miratimit të Strategjisë së Gjelbër të Bankës së Shqipërisë. Znj. Margerita Topalli, ekonomiste e nivelit të lartë, në Departamentin e Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, informoi pjesëmarrësit mbi përparimet e bëra në zbatimin e strategjisë së gjelbër, duke theksuar përditësimet kryesore, mësimet e nxjerra dhe hapat e ardhshëm. Ajo nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së politikave financiare me objektivat mjedisore për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë dhe për të siguruar stabilitet financiar përballë rreziqeve klimatike. Pjesëmarrësit ranë dakord që të vijojnë trajnimet, seminaret dhe tryezat e diskutimit mbi financat e gjelbra.
AAB dhe DISK Albania janë të angazhuara për promovimin e financave të qëndrueshme dhe pajisjen e bankave me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të adresuar sfidat e menaxhimit të rrezikut klimatik.