Publikohet Raporti Vjetor 2024: Një vit i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit bankar në Shqipëri

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka kënaqësinë të prezantojë Raportin Vjetor 2024, i cili sjell një pasqyrë të plotë të arritjeve dhe zhvillimeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në sektorin bankar shqiptar gjatë vitit të kaluar. Viti 2024 u shënua si më i suksesshmi për industrinë bankare në Shqipëri, duke vendosur standarde të reja për performancën dhe ndikimin e këtij sektori në ekonominë kombëtare.

Bankat anëtare të AAB kanë treguar një angazhim të shtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, për të rritur aksesin në financë dhe për të nxitur digjitalizimin në të gjithë gamën e operacioneve të tyre.

AAB, si përfaqësuese e interesave të sektorit, ka luajtur një rol udhëheqës në adresimin e çështjeve strategjike për të ardhmen e industrisë. Përparimi drejt integrimit të Shqipërisë në SEPA, zhvillimi i bankingut të hapur (open banking), si dhe përfshirja aktive në hartimin e projektligjit për Byronë e Kredisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, janë disa nga nismat thelbësore që kanë kontribuar në modernizimin e sistemit financiar shqiptar.

Po ashtu, gjatë vitit 2024, sektori bankar ka qenë pjesë e një fushate intensive për promovimin e imazhit të tij, duke theksuar transparencën, profesionalizmin dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm në mbështetjen e individëve dhe bizneseve. Kjo fushatë ka ndihmuar në thellimin e marrëdhënies me klientët dhe në forcimin e besimit ndaj sistemit bankar.

Angazhimi i sektorit në proceset ligjore dhe rregullatore ka qenë i pandërprerë, ku AAB ka ofruar ekspertizë dhe rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin me standardet më të avancuara europiane. Anëtarësimi i AAB-së në Këshillin e Investimeve dhe në Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit ka përforcuar më tej rolin e saj si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm në hartimin e politikave publike me ndikim në sektorin financiar.

Raporti vjetor i këtij viti reflekton jo vetëm punën e Shoqatës, por edhe suksesin kolektiv të bankave anëtare, të cilat, përmes përpjekjeve të përbashkëta, kanë ndërtuar një klimë më të sigurt, më inovative dhe më konkurruese për konsumatorët dhe bizneset shqiptare.

Ju ftojmë të njiheni më gjerësisht me këto zhvillime dhe me të gjithë spektrin e aktiviteteve të ndërmarra gjatë vitit 2024.

Lexo Raportin Vjetor 2024