Prezantohet POSI, një hap i ri drejt digjitalizimit të pagesave në Shqipëri

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), bashkëpunuese me Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe kompaninë ndërkombëtare Mastercard, prezantuan, më 27 mars 2025, Programin Kombëtar për Përshpejtimin e Pagesave Elektronike, i quajtur POSI. Ky program synon zgjerimin e rrjetit të pajisjeve POS (Point of Sale) në të gjithë vendin, duke u ofruar bizneseve të përzgjedhura përdorim pa komision për një periudhë 12-mujore.
Programi është i orientuar drejt mbështetjes së bizneseve të akomodimit, restoranteve, bizneseve të vogla dhe shërbimit taksi. Kjo iniciativë është një hap konkret për të nxitur pagesat elektronike, për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe për të luftuar informalitetin.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë si Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër, z. Mark Barnet, President i Evropës për Mastercard, z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Ata përshëndetën nismën dhe dhanë mbështetjen e tyre për zbatimin e saj.
Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues të bankave tregtare në vend, si dhe përfaqësues të departamenteve të kartave dhe pagesave.
Në një diskutim të hapur, Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të AAB, z. Bledar Shella, dhe Zëvendës Presidenti Ekzekutiv për Evropën Juglindore në Mastercard, z. Bartocz Ciolkowski, z. Shella theksoi ambientin mjaft të shëndetshëm ekonomik të vendit, ecurinë shumë pozitive të sektorit bankar duke realizuar vitin më të mirë të performancës në dekadën e fundit, dëshirën, angazhimin dhe mbështetjen për thellimin e digjitalizimit dhe realizimin e gjithë projekteve të nisura. Në mënyrë të veçantë ai theksoi suksesin e turizmit dhe detyrimin e sektorit bankar për t’iu përgjigjur cilësisht me shërbime nevojave të kësaj kërkese. Bashkëpunimi institucional, dëshira, angazhimi dhe përpjekjet e përbashkëta janë kyç për sukses të programit POSI. Bankat kanë bashkëpunuar dhe mbështesin këtë program duke shpresuar rritje të shërbimeve të pagesave jo cash, për të rritur jo vetëm pranimin e kartave, por edhe lëshimin e tyre, edukim financiar të klientëve dhe luftë kundër informalitetit.
POSI nuk është thjesht një program, por një hap i rëndësishëm drejt realitetit digjital të së ardhmes.