Prezantohet Garancia Sovrane për rritjen e aksesit në financë të sektorit rural

Në vijim të politikave për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezantuan zyrtarisht skemën e re të garancisë sovrane për kreditimin e bujqësisë, me një fond total prej 3 miliardë lekësh (30 milionë euro), miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare.

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, zhvilluan një takim të përbashkët me drejtuesit e përgjithshëm të bankave të nivelit të dytë, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave. Në fokus të diskutimeve ishin aspektet teknike të zbatimit të kësaj skeme të rëndësishme financiare për ekonominë rurale.

Garancia Sovrane është konceptuar si një instrument i fuqishëm për të përmirësuar aksesin në financë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor, agropërpunim, agroturizëm, peshkim dhe akuakulturë. Skema mbulon deri në 70% të kolateralit për kredi deri në 25 milionë lekë për subjekt dhe, kur kombinohet me Kredinë e Butë të Bankës së Shqipërisë, ofron norma interesi shumë të ulëta, deri në vetëm 2%.

Përfaqësuesit e bankave mirëpritën skemën e re të garancisë sovrane, në kuadër të instrumentit të nënshkruar me Bankën e Shqipërisë për fonde me interes të ulët për bankat, për financimin e sektorëve të nën-financuar të ekonomisë. Gjatë takimit u shprehën edhe mendime se si të ndërtohet një marrëdhënie funksionale për përfitimin e garancisë sovrane dhe që të jetë e krahasueshme me atë që shumë organizata të tjera ndërkombëtare ofrojnë. Palët u dakordësuan për të rritur përpjekjet për të thithur sa më shumë aplikime dhe për të nxitur përfshirjen financiare dhe për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

SHARE