Përfaqësues të sektorit bankar marrin pjesë në Forumin “30 Vite Ekonomi e Lirë – Sektori Bankar”

Në kuadër të Panairit të Punës, në datën 6 prill 2023, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, organizoi Forumin “30 Vite Ekonomi e Lirë – Sektori Bankar”. Kontributi i sektorit bankar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, financat e qëndrueshme, digjitalizimi i pagesave, si dhe sfidat më të cilat është përballur dhe vijon të përballet sistemi bankar në mjedisin ku operojnë, ishin temat e diskutuar gjatë punimeve të këtij forumi. Pjesëmarrës në këtë forum ishin drejtues dhe përfaqësues të institucioneve financiare, akademikë dhe studiues të fushës ekonomike si dhe studentë të Fakultetit të Ekonomisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Spiro Brumbulli , i ftuar nderi në këtë aktivitet, solli për të pranishmit ecurinë ndër vite të sektorit bankar, duke u ndalur në reformat e ndërmarra dhe problematikat e kapërcyera gjatë këtyre zhvillimeve. Ai theksoi digjitalizimin, sigurinë kibernetike dhe përshtatjen ndaj standardeve të Bashkimit Evropian, si sfidat aktuale ndikuar nga zhvillimet teknologjike.
Forumi vijoi punimet i organizuar në panel, ku përfaqësuesit e sektorit bankar: z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, së bashku me z. Mirsad Haliti, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive në Procredit Bank Albania dhe z. Antonio Braghò, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv në Intesa Sanpaolo Bank Albania, shprehën pikëpamjet e tyre mbi temat e diskutuara.