Pagesat e shërbimeve publike dhe shkëmbimi i të dhënave shtetërore në fokus të bashkëpunimit mes bankave, AKSHI-t dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.


Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) zhvilloi më 2 qershor workshop-in “Digjitalizimi, Shërbimet Publike dhe Bankat Tregtare”, me pjesëmarrjen e znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Zëvendësministrit z. Martin Kajo dhe z. Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i AKSHI-t, si dhe drejtuesve dhe përfaqësuesve të bankave tregtare të angazhuar në proceset e pagesave dhe digjitalizimit.
Takimi u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit bankar dhe institucioneve publike për të lehtësuar qasjen e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike digjitale, përmes integrimit më të avancuar të sistemeve bankare me platformën e-Albania dhe bazat shtetërore të të dhënave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i AAB, z. Spiro Brumbulli, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi trepalësh si një mekanizëm për koordinimin e veprimeve dhe përshpejtimin e projekteve në proces. Ai theksoi se bankat tashmë ofrojnë pagesën e një numri të konsiderueshëm shërbimesh publike dhe po punojnë për zgjerimin e mëtejshëm, me qëllim ofrimin e një eksperience sa më të plotë dhe efikase për qytetarët.
Ministrja Ibrahimaj paraqiti objektivin për ndërtimin e një modeli të unifikuar ndërveprimi, ku bankat të kenë mundësi të qasen te të dhënat shtetërore nëpërmjet një mekanizmi të centralizuar, pa qenë e nevojshme lidhja e marrëveshjeve të veçanta me çdo institucion që administron të dhëna shtetërore. Një qasje e tillë do të përshpejtonte ndjeshëm ofrimin e shërbimeve dhe do të reduktonte procedurat administrative për qytetarët. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe reduktimi gradual i përdorimit të dokumenteve fizike dhe kalimi drejt modelit “vetëm një herë”, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë më nevojë të dorëzojnë të njëjtin dokument në institucione të ndryshme. Në këtë kuadër, u diskutua mundësia që bankat të kenë qasje në dokumentet elektronike të gjeneruara nga institucionet shtetërore, duke i marrë ato automatikisht nga regjistrat përkatës, me pëlqimin e klientit dhe në përputhje me kuadrin ligjor.
Për qytetarët, këto zhvillime do të përkthehen në procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe me më pak dokumentacion, si në marrjen e shërbimeve publike, ashtu edhe në përdorimin e shërbimeve bankare.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e zgjerimit të modelit të suksesshëm të e-Albania edhe në proceset bankare, duke krijuar flukse pune të integruara që shmangin lëvizjen e qytetarëve ndërmjet sistemeve dhe institucioneve të ndryshme. Ai nënvizoi se digjitalizimi duhet të sjellë më shumë komoditet për qytetarët dhe bizneset, duke u afruar me praktikat më të avancuara ndërkombëtare.
Në diskutimet e tyre, përfaqësuesit e industrisë bankare ritheksuan se sektori ndan të njëjtin vizion për transformimin digjital të shërbimeve dhe se bankat kanë investuar dhe vijojnë të investojnë në infrastrukturën dhe teknologjitë e nevojshme për ta bërë këtë transformim të mundur. Gjithashtu, u theksua nevoja për reduktimin e proceseve manuale, rritjen e ndërveprimit me regjistrat shtetërorë dhe përmirësimin e mëtejshëm të informimit të qytetarëve mbi mundësitë që ofrojnë kanalet digjitale.
Gjatë workshop-it u diskutua gjithashtu integrimi i pagesave të shërbimeve publike me infrastrukturat moderne të pagesave, përfshirë përdorimin e pagesave të menjëhershme (instant payments), si dhe zgjerimi i përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesës në administratën publike. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit ranë dakord për vijimin e punës në nivel teknik për të adresuar çështjet operative dhe rregullatore që lidhen me kostot e transaksioneve dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve.
Për të çuar përpara këto iniciativa, AAB do të vijojë ndjekjen e këtyre çështjeve përmes një grupi të posaçëm pune, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, AKSHI-n dhe aktorët e tjerë të përfshirë, me synim hartimin e propozimeve konkrete dhe përcaktimin e afateve për realizimin e tyre.










