Leksion i hapur me studentët e Institutit Kanadez të Teknologjisë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi mbrojtjen e të dhënave

Në kuadër të përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e të dhënave personale, AAB organizoi një leksion të hapur për studentët e Institutit Kanadez të Teknologjisë. Ky aktivitet synoi të ofrojë njohuri praktike mbi zbatimin e GDPR në sektorin bankar shqiptar dhe të theksojë rëndësinë e përputhshmërisë në një mjedis digjital gjithnjë e më kompleks.

Leksionin e udhëhoqi znj. Ada Qazolli, kryetare e Komitetit të Përputhshmërisë në AAB dhe Drejtuese e Departamentit të Përputhshmërisë dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave pranë BKT. Ajo prezantoi hapat kryesorë për përputhshmëri dhe mbrojtje të të dhënave, përgjegjësitë ligjore dhe operative të bankave, si dhe sfidat që hasin institucionet financiare në një ambient digjital në zhvillim e sipër.

Studentët morën pjesë në mënyrë aktive, duke u angazhuar në pyetësorë dhe raste konkrete, gjë që u mundësoi të thellojnë njohuritë mbi kornizat rregullatore dhe të zhvillojnë aftësi praktike të nevojshme për karrierë në financa, teknologji dhe përputhshmëri. Ky aktivitet krijoi një mundësi të vlefshme për të lidhur teorinë me praktikën dhe për të përgatitur brezin e ri për sfidat profesionale të sektorit bankar dhe më gjerë.

SHARE