Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2023
Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!
Shoqata Shqiptare të Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në datat 20-26 mars 2023, festojnë Javën e Parasë 2023, nën sloganin “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”. Gjatë kësaj javë, AAB, së bashku me bashkëpunëtorët dhe partnerët e saj, është e angazhuar në organizimin e aktiviteteve të cilat kanë si qëllim të edukojnë brezin e ri për bërë plane financiare të shëndetshme gjatë gjithë jetës së tyre. Konkurset, leksionet e hapura, vizitat dhe takimet që zhvillohen këto ditë në ambientet e Bankës së Shqipërisë, të bankave dhe institucioneve arsimore janë një pjesë e vogël e punës vjetore që zhvillohet nga AAB dhe të gjithë partnerët në edukimin financiar të të gjitha grup moshave.
Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë 2023, u organizua në mjediset e Bankës së Shqipërisë, më 20 mars 2023. Aktivitetin e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë; zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit; dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko shprehu rëndësinë që Banka e Shqipërisë i kushton kulturës dhe përfshirjes financiare, duke e bërë pjesë integrale të detyrave të saj institucionale. Ai përmendi punën e bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm, për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare.
Ministrja Kushi theksoi edhe njëherë rëndësinë e edukimit financiar, për të formuar qytetarë të denjë duke i pajisur me njohuritë e duhura. Edukimi financiar trajtohet si lëndë më vete në kurrikula duke mundësuar dhe vënien në praktikë të njohurive të marra.
Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Shella, në fjalën e tij solli në vëmendje përfshirjen e AAB-së dhe bankave në iniciativat dhe projektet e përbashkëta, dhe shprehu përkrahjen e mëtejshme për çdo iniciativë që do të kontribuojë në përmirësimin e njohurive mbi paranë dhe financat, si një nevojë që e sjell koha.
Aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit 5 konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë dhe të shpallura më parë. Këto konkurse u mbështetën nga bankat anëtare të AAB-së.
1. Konkursi “Vizatimit më i mirë”, në të cilin u paraqitën për konkurrim më shumë se 350 vizatime nga nxënësit e klasave III-ta prej më shumë se 70 shkollave 9-vjeçare nga e gjithë Shqipëria. Konkursi u mbështet nga Union Bank.
2. Konkursi “Projekti më i mirë”, në të cilin nxënësit e 46 klasave të IV- ta nga 38 shkolla të vendit u angazhuan në trajtimin e temës në një projekt fizik ose interpretativ, përmes një videoje të shkurtër. Konkursi u mbështet nga ABI Bank.
3. Konkursi “Fotomontazhi më i mirë”, ku 65 nxënës me 61 punime, nga 50 shkolla të vendit, nxënës të klasave të VIII-ta, zbërthyen mesazhin e temës së Javës së Parasë, nëpërmjet imazheve dhe diçiturave. Konkursi u mbështet nga Credins Bank.
4. Konkursi i “Videos më të mirë”, në të cilin u paraqitën 69 video, të realizuara nga 97 nxënës të 47 shkollave të mesme të vendit, Konkursi u mbështet nga OTP Bank Albania.
5. Konkursi i esesë më të mirë me temë “Ndryshimet klimatike – përse janë të rëndësishme për sektorin financiar në Shqipëri?” Në këtë konkurrim u paraqitën 10 ese nga 7 universitete të vendit. Fituesit e konkursit, përveç çmimit simbolik të fituar, falë mbështetjes së Bankës Tregtare Kombëtare, do të mund të kryejnë dhe praktikat mësimore pranë kësaj banke.
Përveç konkurseve dhe veprimtarive në institucionet arsimore, një aktivitet tjetër i rëndësishëm është dhe Kuizi i Parasë, finalja kombëtare e të cilit do të realizohet më 30 mars 2023, ku fituesit do të shpërblehen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Raiffeisen Bank do të mundësojë pjesëmarrjen e ekipit fitues të Kuizit të Parasë në konkursin evropian në Bruksel në datën 16 maj 2023.