Çelet Java e Parasë 2025: Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve

Më 17 mars 2025, u organizua ceremonia e hapjes së Javës Globale të Parasë 2025 që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi edukimin financiar dhe aftësitë për menaxhimin e financave personale tek të rinjtë. Gjatë ceremonisë, të pranishmit ndoqën fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), të cilët theksuan rëndësinë e kësaj iniciative. Në të njëjtën ceremoni, u shpallën dhe u ndanë çmimet për fituesit e konkurseve të mbështetura nga bankat anëtare të AAB-së.

Java Globale e Parasë do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh të tjera edukative dhe ndërgjegjësuese, të cilat përfshijnë leksione, vizita, konkurse dhe aktivitete për fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë vendin.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Gent Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe partnerëve të tjerë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grupmoshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. Ai shtoi se viti 2025 përkon me një moment historik për Shqipërinë, 100-vjetorin e krijimit të Bankës së Shqipërisë, një moment i papërsëritshëm për të reflektuar mbi rrugëtimin ekonomik dhe financiar të vendit.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj nisme, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të njëmbëdhjetë. Edukimi financiar si një çështje e rëndësishme ka bashkuar edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, duke rritur numrin e institucioneve që interesohen dhe bashkëpunojnë për edukimin financiar.

Në kuadër të kësaj jave, u organizuan pesë konkurse me pjesëmarrjen e nxënësve dhe studentëve nga e gjithë Shqipëria. Konkurrentët patën mundësinë të shprehin aftësitë e tyre krijuese dhe njohuritë mbi financat përmes formateve të ndryshme.

  1. Konkursi i vizatimi më të mirë – Mbështetur nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT), ftoi nxënësit e klasave III të krijonin një kartëmonedhë imagjinare me temë “100 vjet Banka e Shqipërisë, banka jonë qendrore”.  U paraqitën mbi 600 vizatime nga 80 shkolla 9-vjeçare dhe u shpallën 10 fitues.
  2. Konkursi i projektit më të mirë – Mbështetur nga Credins Bank, përfshiu klasat IV, të cilët, nën drejtimin e mësuesve, realizuan projekte mbi temën e Javës Globale të Parasë. U dorëzuan 70 projekte nga rreth 2 300 nxënës të 60 shkollave
  3. Konkursi i fotomontazhit më të mirë – Mbështetur nga Raiffeisen Bank, ku nxënësit e klasave VIII përgatitën fotomontazhe mbi temën e Javës së Parasë. Në këtë konkurs u paraqitën 155 punime nga 70 shkolla.
  4. Konkursi i videos më të mirë – Mbështetur nga Union Bank, përfshiu nxënësit e shkollave të mesme, të cilët përgatitën video deri në 2 minuta mbi temën “Ndiq me mençuri, begati në ardhmëri!”. U dorëzuan 75 video nga 100 nxënës të 35 shkollave.
  5. Konkursi i esesë më të mirë – Mbështetur nga Tirana Bank, u hap për studentët universitarë, të cilët paraqitën ese argumentuese mbi temën “100 vjet Banka Qendrore në Shqipëri: Rruga drejt stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik”. U dorëzuan 8 ese nga studentë të 7 universiteteve publike dhe jopublike.

Pjesëmarrësve dhe fituesve të konkurseve iu shpërndanë certifikata dhe dhurata simbolike. Union Bank ofroi falas për të gjithë pjesëmarrësit në konkurset e shpallura produktin Karta Junior, duke theksuar mbështetjen e saj për edukimin financiar të të rinjve.

AAB falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe institucionet e përfshira për kontributin në organizimin e Javës së Parasë 2025 dhe mbetet e angazhuar për të mbështetur nisma të tjera që synojnë edukimin financiar në të ardhmen.

SHARE