Bankat tregtare nënshkruajnë Marrëveshjen për nismën “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u nënshkrua Marrëveshja Kuadër për zbatimin e Nismës Kombëtare të Financimit të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe të Fermerëve “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë, ministrive përkatëse dhe bankave tregtare.

Kryeministri, z. Edi Rama, e vlerësoi këtë nismë si një shembull konkret të bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare dhe forcimit të ekonomisë prodhuese.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi progresin e sektorit bankar në mbështetjen e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e qëndrueshme të kreditimit. Ai nënvizoi rëndësinë e financimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla, të mesme dhe fermerëve, si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe rritjen e produktivitetit në vend.

Në emër të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencabligil, Zëvendës Kryetar i Bordit Mbikëqyrës te Shoqatës dhe Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Bankës Kombëtare Tregtare, e vlerësoi nismën si një zgjidhje konkrete për sfidat e qasjes në financim, veçanërisht për bizneset që përballen me informalitet dhe mungesë kolaterali. Ai theksoi se Garancia Sovrane e Qeverisë, financimi me kosto të ulët nga Banka e Shqipërisë dhe koordinimi ndërinstitucional krijojnë mundësi reale për zhvillimin e bizneseve.

Bankat tregtare shprehën angazhimin e tyre për ta kthyer këtë projekt në një histori suksesi për sipërmarrjen dhe ekonominë shqiptare.

 

SHARE