Bankat morën pjesë në aktivitetin “Kreditimi dhe financimi i sektorit të bujqësisë në Shqipëri”
Drejtorët e Përgjithshëm të bankave morën pjesë në aktivitetin “Kreditimi dhe financimi i Bujqësisë në Shqipëri”, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural më 26 janar 2022, me praninë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Genti Sejko. Ky takim u fokusua në nxitjen e diskutimeve për kreditimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri dhe prezantimin e nismës së Qeverisë Shqiptare për Programin e Mbështetjes së Agrobiznesit.
Kryetari i AAB-së, z. Bledar Shella foli në emër të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), duke përmendur disa nga faktorët që kanë penguar rritjen e kreditimit e bujqësisë. Ai theksoi nevojën për një bashkëpunim më të mirë të industrisë bankare me institucionet shtetërore për gjetjen e mekanizmave për uljen e rrezikut dhe lehtësimin e kreditimit të bujqësisë. Duke mbështetur skemën e garancisë së qeverisë me 1 miliardë lekë për bujqësinë, z. Shella theksoi vëmendjen që bankat i kushtojnë sektorit të bujqësisë.