AAB merr pjesë në Rin Camp 2024
Për të dytin vit radhazi, AAB iu përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët duke marrë pjesë në një nga panelet informuese të Rin Camp 2024.
Këtë vit, Rin Camp u zhvillua nga data 30 gusht deri më 2 shtator 2024 në Dhërmi, Vlorë, dhe mblodhi së bashku 100 të rinj të moshës 20-26 vjeç, me synim aktivizimin dhe mbështetjen e tyre në fushën e angazhimit rinor, zhvillimin e kapaciteteve personale dhe profesionale, dhe fuqizimin e tyre përmes një sërë aktivitetesh dhe paneleve informuese. Aktiviteti u organizua në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 dhe ishte një bashkëpunim i Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët me Agjencinë Kombëtare të Rinisë.
Më 30 gusht, z. Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, së bashku me z. Albert Shehu, drejtor i bankingut individual në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), z. Gjergj Karasani, përgjegjës i sektorit të menaxhimit të kredive në Credins Bank dhe znj. Alma Derraj, drejtore e departamentit të menaxhimit të kanaleve alternative në Union Bank, morën pjesë në panelin informues “Edukimin financiar dhe përgjegjësinë financiare”. Ata bashkëbiseduan me audiencën për tema si: digjitalizimi, kredia, normat e interesit, këshillat financiare dhe siguria kibernetike.
Të udhëhequr nga besimi se investimi në gjeneratën e ardhshme është një investim në të ardhmen e vendit tonë, AAB dhe bankat anëtare të saj, ndër vite kanë marrë pjesë aktive në iniciativa të shumta që synojnë fuqizimin e të rinjve.