Nis edicioni i tretë i Lojës së Bursës për Bankierët – Stock Market Learning 2026/2027

Më 20 tetor 2026, u zhvillua online takimi hapës (Kick-off Meeting) i edicionit të tretë të Lojës së Bursës për Bankierët – Stock Market Learning (SML), një iniciativë e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation dhe Bankën e Shqipërisë.

Ky edicion ka mbledhur 336 profesionistë të sektorit bankar nga 12 bankat që operojnë në vend, duke dëshmuar interesin në rritje për këtë iniciativë, e cila synon të forcojë njohuritë financiare dhe të ofrojë një përvojë praktike në fushën e investimeve dhe tregjeve të kapitalit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB, vlerësoi ecurinë e kësaj iniciative dhe interesin gjithnjë e më të madh që ajo ka ngjallur ndër vite te profesionistët e sektorit bankar. Ai theksoi rëndësinë e Stock Market Learning si një mundësi për të zgjeruar njohuritë mbi funksionimin e tregjeve financiare, për të zhvilluar aftësitë analitike dhe vendimmarrëse, si dhe për të nxitur të nxënit përmes përvojës praktike. Në vijim të traditës së edicioneve të mëparshme, këtë vit pesë pjesëmarrësit që do të arrijnë rezultatet më të mira në menaxhimin e portofoleve të tyre virtuale do të shpërblehen me çmime financiare të mundësuara nga AAB, duke vlerësuar kështu angazhimin dhe performancën e tyre gjatë konkurrimit.

Takimi u përshëndet gjithashtu nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë; znj. Annika Peukert, Project Manager pranë Sparkassenstiftung në Bonn; dhe znj. Liliana Colavit, përfaqësuese e Sparkasse Märkisches Sauerland Bank, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj iniciative në zhvillimin e njohurive dhe aftësive praktike në fushën e investimeve.

Aktiviteti vijoi me një workshop informues dhe praktik, të mundësuar nga Sparkassenstiftung dhe të drejtuar nga eksperti i tregjeve të kapitalit, z. Artan Gjergji. Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u njohën me rregullat dhe funksionimin e lojës, parimet e investimit në bursë dhe strategjitë e menaxhimit të portofolit virtual. Përmes shembujve konkretë dhe këshillave praktike, ata morën orientime të vlefshme mbi analizimin e tregjeve financiare, diversifikimin e investimeve dhe marrjen e vendimeve të informuara gjatë konkurrimit.

Stock Market Learning 2026/2027, do të zhvillohet gjatë periudhës tetor 2026 – janar 2027, duke iu ofruar pjesëmarrësve mundësinë të zbatojnë njohuritë e tyre në një mjedis simulues të tregjeve financiare, duke nxitur të menduarit strategjik, konkurrencën e shëndetshme dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet profesionistëve të sektorit bankar.

AAB falënderon partnerët për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për interesin dhe angazhimin e tyre, duke iu uruar suksese në këtë edicion të ri të Lojës së Bursës!

SHARE