Komitetet Teknike të AAB në tryezë pune për prioritetet e vitit 2027

Më 25 shtator, AAB mblodhi Kryetarët dhe Zv. Kryetarët e 10 Komiteteve Teknike në një tryezë pune mbi ecurinë e veprimtarisë së AAB gjatë vitit 2026 dhe planifikimit të prioriteteve për vitin e ardhshëm.
Në takim u pasqyrua puna e zhvilluar gjatë vitit 2026, duke përfshirë nismat e ndërmarra në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, institucionet publike dhe partnerët e sektorit. Në fokus kanë qenë zhvillime në fushën e pagesave, raportimit financiar, kuadrit rregullator, digjitalizimit dhe zhvillimit profesional.
Një prej projekteve kryesore të vitit 2026 është Instant Payment, krahas nismave në kuadër të Cashless Economy dhe kalimit drejt një standardi të unifikuar të raportimit financiar. Paralelisht, ka vijuar puna për përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator me standardet e BE dhe përgatitjet për zbatimin e kërkesave të reja rregullatore.
Për vitin 2027, u propozua vëmendje ndaj edukimit financiar, si një drejtim që shoqëron zhvillimin e sektorit dhe mënyrën se si qytetarët dhe bizneset ndërveprojnë me shërbimet financiare. Në këtë kuadër, AAB të forcojë bashkëpunimin me universitetet, duke krijuar më shumë mundësi për afrimin e studentëve me sektorin bankar, shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave praktike, si dhe një kuptim më të mirë të nevojave të brezit të ri.
Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do të kenë një vëmendje të shtuar përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të praktikave. Në të njëjtën kohë, puna do të vijojë në fushën e legjislacionit bankar dhe përafrimit me kuadrin e Bashkimit Evropian, si dhe në forcimin e koordinimit dhe shkëmbimit të njohurive ndërmjet Komiteteve Teknike. Bashkëpunimi rajonal do të jetë gjithashtu pjesë e agjendës, veçanërisht për shkëmbimin e praktikave në fushën e pagesave dhe zhvillimeve teknologjike.
Nga projektet e vitit 2026 te prioritetet e vitit 2027, puna e 10 Komiteteve Teknike do të vijojë të mbështesë AAB në adresimin e zhvillimeve dhe nevojave të sektorit bankar.


