AAB forcon bashkëpunimin me Deutsche Sparkassenstiftung për zhvillimin e sektorit financiar në Shqipëri

Më 13 mars 2026, në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të dy marrëveshjeve strategjike mes institucioneve financiare gjermane dhe shqiptare. Ceremonia shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe u zhvillua nën përkujdesjen e Ambasadës Gjermane, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të sektorit bankar shqiptar dhe gjerman.

Në këtë ceremoni, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) nënshkroi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me DSIK Albania, duke forcuar rolin e saj në mbështetjen e bankave shqiptare për përputhjen me standardet rregullatore të Bashkimit Evropian dhe kërkesat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Ky bashkëpunim ofron gjithashtu mundësi të reja në fushat e edukimit financiar, trajnimeve, konsulencës dhe mbështetjes institucionale.

Presidenti i AAB, Z. Bledar Shella, përshëndeti duke vënë theksin se ky bashkëpunim është një alternativë më shumë në punën e Shoqatës për edukim financiar, trajnime, konsulencë dhe mbështetje në zbatimin e legjislacionit të BE që Shqipëria po miraton.

Ceremonia përfshiu gjithashtu fjalime nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, H.E. Karl Bergner, Drejtori Menaxhues i DSIK, Z. Niclaus Bergmann, CEO i Sparkasse Märkisches Sauerland Hemer-Menden, Z. Dietmar Tacke, si dhe Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Z. Deniz Deralla.

Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit rajonal të Sparkassenstiftung “Just Transition: Transformimi i Qëndrueshëm i Sektorit Financiar në Shqipëri” dhe synon forcimin e sistemeve financiare gjithëpërfshirëse dhe rezistente, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e edukimit financiar përmes shkëmbimeve midis institucioneve gjermane dhe shqiptare.

SHARE