Takim pune midis AAB dhe Bankës së Shqipërisë

Më 22 shtator 2025, Bordi Mbikëqyrjes i AAB zhvilloi një takim pune me Bankën e Shqipërisë, nën drejtimin e Guvernatorit, z. Gent Sejko.

Diskutimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit të sistemit të pagesave, procesin e digjitalizimit të shërbimeve bankare, promovimin e pagesave elektronike dhe nisjen e pagesave ndërkufitare përmes skemave SEPA më 7 tetor 2025. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me mbikëqyrjen bankare dhe rritjen e kreditimit, aspekte të veprimtarisë bankare dhe të kuadrit rregullativ që do të kërkohen në kuadër të pranimit të vendit në BE, si dhe për forcimin e komunikimit në kuadër të transparencës dhe edukimit financiar.

Guvernatori Sejko vlerësoi progresin e arritur në fushën e pagesave digjitale dhe theksoi se kalimi drejt një ekonomie më pak të varur nga paraja cash sjell përfitime të shumta si formalizimi i aktiviteteve ekonomike, ulja e evazionit fiskal, përmirësimi i sigurisë së transaksioneve dhe reduktimin e kostove të menaxhimit të parasë fizike.

AAB çmon dialogun e vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë dhe thekson angazhimin e bankave anëtare për të mbështetur zhvillimin ekonomik përmes zgjidhjeve financiare gjithnjë e më inovative për bizneset dhe individët, në funksion të një ekonomie më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si industria pararojë e zhvillimeve digjitale.

GALERIA

SHARE