Takim mbi Skemën e Garancisë Sovrane për Sektorin Bujqësor: Vlerësohet progresi dhe diskutohen perspektivat e ardhshme

Më 10 shkurt 2026, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Drejtorët e Përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në vend morën pjesë në një takim diskutimi së bashku me Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mbi “Skemën e Garancisë Sovrane për Sektorin Bujqësor – Rishikim i Progresit dhe Perspektiva e Ardhshme”.

Takimi u zhvillua në vijim të dialogut të vazhdueshëm institucional mbi përdorimin e Skemës së Garancisë Sovrane dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM), me synim mbështetjen e sektorit bujqësor dhe rritjen e aksesit në financim për fermerët, ndërmarrjet bujqësore dhe bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Diskutimet u fokusuan në vlerësimin e progresit të deritanishëm, identifikimin e çështjeve operacionale dhe përcaktimin e masave konkrete për rritjen e efektivitetit dhe përthithjes së këtyre instrumenteve financiare.

Përfaqësuesit e bankave, duke mbështetur plotësisht skemën e financimit të bujqësisë dhe instrumentin e kredisë nëpërmjet garancisë sovrane, në vazhdim të përpjekjeve dhe eksperiencës së fituar vitin e kaluar, propozuan disa përmirësime në program që kanë të bëjnë me zgjatjen e afatit të kredisë, bërjen opsionale të periudhës favorizuese (grace period), sqarimin e statusit tregtar të fermerit me atë fiskal, ekzistencën e informalitetit, marketing më të koordinuar dhe më intensiv që të njihet gjerësisht produkti, si dhe përcaktimi më i mirë i investimeve të lejuara. Propozimet u mirëpritën nga Ministri i Financave dhe do të punohet për pasqyrimin e tyre.

Bankat evidentuan gjithashtu se një numër aplikimesh të tjera janë aktualisht në proces vlerësimi, duke reflektuar potencialin në rritje të këtij instrumenti për të mbështetur financimin e sektorit bujqësor.

Institucionet pjesëmarrëse dhe sektori bankar riafirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm, me synim përmirësimin e aksesit në financim, nxitjen e investimeve dhe mbështetjen e zhvillimit të sektorit bujqësor, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit.

SHARE