Sektori bankar në pararojë të mbrojtjes së të dhënave personale

Më 3 shtator u zhvillua një tryezë e përbashkët diskutimi mes Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) dhe bankave të nivelit të dytë, të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre ekzekutivë.

Takimi pasoi një proces të gjerë konsultimesh mbi ligjin e ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i miratuar në dhjetor 2024 dhe tashmë në fuqi. Ky ligj përafron plotësisht kuadrin ligjor shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, duke garantuar standarde të barabarta me GDPR për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.

Në fjalën e tij, Komisioneri z. Besnik Dervishi theksoi se sektori bankar, si një nga përpunuesit më të mëdhenj të të dhënave, ka rol thelbësor në zbatimin e ligjit. Ai e cilësoi reformën jo thjesht një ndryshim teknik, por një qasje të re për sigurinë e të dhënave dhe për forcimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Kryetari i AAB, z. Bledar Shella nënvizoi sfidat ligjore, operacionale, teknologjike, financiare dhe ndërkombëtare që sjell ligji, si dhe efektet dhe përfitimet nga zbatimi i këtij ligji. Ai garantoi angazhimin aktiv të bankave në zbatimin e tij.

Diskutimet u fokusuan tek risitë dhe detyrimet që sjell ligji, si mbrojtja e të dhënave në sistemet digjitale, shmangia e mbledhjes së tepruar të të dhënave, ruajtja për periudha të pacaktuara, auditimet periodike të aplikacioneve bankare, politikat e privatësisë dhe praktikat e marketingut, etj.

Një çështje e ndjeshme e ngritur ishte edhe kërkesa e institucioneve publike për të dhëna bankare në kundërshtim me ligjin, ku sektori bankar kërkoi harmonizim të mëtejshëm institucional.

Bankat u shprehën të gatshme të luajnë një rol aktiv në këtë proces, duke e konsideruar ligjin e ri një prioritet të lidhur ngushtë me transformimin digjital të sektorit financiar.

GALERIA

SHARE