Pagesat elektronike në rritje: Përfitime për qytetarët dhe formalizim për ekonominë

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), z. Spiro Brumbulli, ishte i ftuar në emisionin “Pro Business” në TV Klan, ku foli për rritjen e përdorimit të pagesave elektronike në Shqipëri dhe ndikimin e tyre pozitiv në formalizimin e ekonomisë.
Pagesat me kartë u rritën me 23% dhe transaksionet online me 20%. Ky trend pozitiv është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të bankave, qeverisë dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave.
Një faktor kyç në këtë rritje është zgjerimi i bizneseve që pranojnë pagesa elektronike, veçanërisht në sektorin e turizmit. Megjithatë, përdorimi i parasë fizike mbetet ende i lartë, për shkak të përfshirjes së kufizuar financiare dhe nivelit të informalitetit.
Z. Brumbulli vuri në dukje se pagesat elektronike po sjellin më shumë transparencë, efikasitet dhe siguri, duke ulur kostot që lidhen me qarkullimin e parasë fizike dhe duke ndihmuar në monitorimin e transaksioneve.
Përfitime konkrete për përdoruesit
Kartat bankare ofrojnë lehtësi dhe siguri, por edhe përfitime të drejtpërdrejta si “cash back” dhe pagesa me këste pa interes, të cilat ndihmojnë qytetarët në menaxhimin më të mirë të shpenzimeve.
Brumbulli theksoi rëndësinë e sigurisë digjitale, duke këshilluar përdoruesit të shmangin klikimet në lidhje të dyshimta dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat personale. Në rast mashtrimi, këshillohet kontaktimi i menjëhershëm me bankën për bllokimin e kartës.
Ai u ndal edhe te shqetësimet për komisionet e POS-ëve, duke sqaruar se ato janë ulur në 2–2.1% dhe ka diskutime për reduktime të mëtejshme. Pagesat elektronike ndihmojnë bizneset të dokumentojnë xhiron reale dhe të shmangin deklarimet e pasakta.
Brumbulli dënoi praktikën e disa bizneseve që aplikojnë tarifë shtesë për pagesat me kartë, veçanërisht në zonat turistike, duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe të papranueshme.