Një gotë verë me gazetarët

Në përmbyllje të një viti të mbushur me zhvillime të rëndësishme për sektorin bankar dhe financiar në vend, AAB organizoi një pritje të posaçme për gazetarët e ekonomisë, të angazhuar në mediat kryesore kombëtare. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëbiseduese, duke shërbyer si një moment reflektimi mbi arritjet e vitit që po lëmë pas dhe sfidat që priten përpara.

Të pranishmit u përshëndetën nga Presidenti i Shoqatës, z. Bledar Shella, i cili falënderoi gazetarët për kontributin e vazhdueshëm në informimin e publikut dhe në pasqyrimin profesional të zhvillimeve në sistemin bankar. Ai vuri në dukje se viti që po mbyllet është shoqëruar me reforma dhe nisma të rëndësishme, si Open Banking, anëtarësimi në SEPA, si edhe hyrja në treg e tri bankave të reja, që kanë rritur konkurrencën dhe diversitetin e shërbimeve financiare.

Gjatë fjalës së tij, z. Shella theksoi se edhe viti i ardhshëm pritet të jetë po aq sfidues dhe dinamik, me fokus të veçantë në përpjekjet drejt një ekonomie gjithnjë e më pak të varur nga paratë fizike, si edhe në finalizimin e projektit të pagesave të menjëhershme (instant payment). Këto zhvillime përfaqësojnë një hap tjetër të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve dhe produkteve bankare, si dhe në përmirësimin e përvojës së klientëve.

Takimi u shoqërua me diskutime të hapura mes përfaqësuesve të AAB dhe gazetarëve, ku u trajtuan çështje aktuale të sektorit bankar dhe financiar, tendencat e pritshme për vitin e ardhshëm, si edhe roli thelbësor i medias në informimin dhe edukimin e publikut mbi këto zhvillime. Atmosfera e ngrohtë dhe bashkëpunuese e eventit shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet AAB dhe mediave ekonomike.

SHARE