Mëngjes pune me gazetarët e ekonomisë

Më 13 dhjetor 2024, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi aktivitetin tradicional “Mëngjes pune” me gazetarët e ekonomisë nga media të ndryshme vizive dhe media e shkruar, me të cilat AAB bashkëpunon. Gjatë këtij takimi, Presidenti i AAB-së, z. Bledar Shella, ndau me pjesëmarrësit arritjet kryesore të industrisë bankare dhe veprimtarinë e AAB-së përgjatë vitit 2024. Në fokus të këtij prezantimi ishin projektet strategjike dhe digjitale që kanë transformuar sektorin bankar, si implementimi i SEPA (zona e pagesave të vetme në euro) dhe Open Banking.

Z. Shella vuri në dukje rëndësinë e vitit 2024, i cili shënon 25-vjetorin e themelimit të AAB-së. Gjatë vitit AAB, ka intensifikuar angazhimin e saj në disa projekte të rëndësishme ku përmendi përgatitjen e projektligjit për krijimin e Byrosë së Kredisë; fushatën e komunikimit për të promovuar transparencën dhe për të rritur besimin publik në sektorin bankar; dhe marrëveshjen me IFC për një projekt trevjeçar që synon digjitalizimin e shërbimeve financiare dhe modernizimin e kanaleve të pagesave.

Gjatë diskutimeve, gazetarët e pranishëm shprehën interes për zhvillimet në sektorin bankar dhe ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Presidenti i AAB-së theksoi se ky vit ka qenë më i miri deri më tani për sektorin bankar, duke u reflektuar në rritjen e kreditimit; mbështetur bizneset dhe individët përmes financimeve të qëndrueshme; uljen e nivelit të kredive me probleme; rritjen e depozitave bankare, dhe zhvillimin e  shërbimeve në kanalet digjitale, duke ofruar zgjidhje më të shpejta dhe më inovative për klientët.

Takimi përfundoi me një mesazh optimist për të ardhmen, ku u theksua rëndësia e vazhdimit të një bashkëpunimi të ngushtë dhe të frytshëm mes sektorit bankar dhe medias ekonomike, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi reformat dhe projektet që ndikojnë pozitivisht në ekonomi. Në përmbyllje, z. Shella përcolli urimet për një vit të ri të suksesshëm, duke shprehur besimin se viti 2025 do të sjellë arritje të tjera për sektorin bankar dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.

SHARE