Mbrëmja e Fundvitit 2025 nga AAB

Më 16 dhjetor 2025, AAB mirëpriti drejtues dhe përfaqësues të nivelit të lartë të sektorit bankar dhe financiar shqiptar në Mbrëmjen e Fundvitit 2025, një aktivitet tradicional që vlerëson bashkëpunimin, arritjet e vitit dhe sfidat që presin sektorin në të ardhmen. Në këtë mbrëmje festive morën pjesë personalitete të rëndësishme të sistemit financiar: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko; Znj. Adela Xhemali, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare; Z. Martin Blushi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave; si dhe përfaqësues të tjerë:  nga Banka e Shqipërisë Znj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë dhe Znj. Natasha Ahmetaj, Zëvendësguvernatore e Dytë; drejtorë të përgjithshëm të bankave të nivelit të dytë dhe kryetarë të komiteteve teknike të AAB.

Presidenti i AAB, Z. Bledar Shella, vlerësoi ecurinë pozitive të sektorit bankar gjatë vitit 2025 dhe theksoi rëndësinë e investimeve të mëdha në projekte digjitalizimi dhe iniciativa strategjike, përfshirë integrimin e 11 bankave tregtare në SEPA njëkohësisht, avancimin e digjitalizimit të sektorit dhe ofrimin e pagesave të shpejta përmes sistemit instant payment.

Gjatë vitit, AAB luajti një rol kyç në adresimin e çështjeve strategjike për industrinë, duke përfshirë mbështetjen për aplikimin e vendit në SEPA, bashkëpunimin me Bankën Botërore për hartimin e projektligjit të Byrosë së Kredisë, si dhe një fushatë intensive për forcimin e imazhit të sektorit bankar. Shoqata vijon të jetë një aktor i pranishëm në proceset legjislative dhe rregullatore, duke kontribuar me ekspertizë dhe standarde bashkëkohore.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi kontributin e bankave në mbështetjen e sektorit privat dhe rritjen ekonomike të vendit. Ai nënvizoi se kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian në dy vitet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të industrisë bankare për zbatimin korrekt të ndryshimeve dhe materializimin sa më të shpejtë të përfitimeve.

Sejko gjithashtu informoi se në vitin 2026 sektori do t’i nënshtrohet vlerësimit FSAP nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, një proces që do të sigurojë një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit ligjor dhe praktikave të mbikëqyrjes, duke evidentuar boshllëqet dhe duke orientuar përmirësimet e nevojshme. Ai shtoi se sfidat e ardhshme përfshijnë zgjerimin e shërbimeve bankare cilësore, transparente dhe të diversifikuara, investime në inovacion teknologjik dhe digjitalizim, si dhe vendosjen e standardeve më të larta të mbrojtjes kibernetike.

Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë festive.

SHARE