Java e Parasë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

Në datat 12 -18 mars 2018 u organizua Java e Parasë në Shqipëri, nën sloganin “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!”. Aktivitetet u organizuan në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë (BSH) dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement (JA), Shërbimit Kombëtar për Rininë (SHKR), shkollat, universiteteve publike dhe jo publike, etj. duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth

5 000 fëmijë dhe të rinj
55 shkolla 9-vjeçare
14 shkolla të mesme
8 universitete
14 qytete

Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë u organizua në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori  i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, në fjalët e tyre përshëndetëse theksuan ndër të tjera misionin e Javës së Parasë dhe rëndësinë e kulturës financiare për publikun  e gjerë dhe në veçanti për brezat e rinj.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 3 konkurseve të shpallura një  muaj më parë nga BSh dhe AAB. Guvernatori Sejko dhe kryetari i AAB Pedrazzi, së bashku me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që sponsorizuan çmimet për fituesit e konkurseve, ndanë çmimet dhe bënë  foto me nxënësit dhe studentët fitues.

  1. Konkursi për nxënësit e klasave VI të shkollës 9-vjeçare me projekte “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!”  mundësuar nga Raiffeisen Bank Shqipëri.
  2. Konkursi për nxënësit e shkollave të mesme “Videoja më e mirë” me temë “Paraja: Ç’të mbjellësh, do  të korrësh!” mundësuar nga ABI Bank.
  3. Konkursi për studentë i esesë më të mirë me temë “A përbën rrezik përdorimi i euros në transaksionet tregtare në Shqipëri?”  mundësuar nga banka Societe Generale Albania

Vizitë në Muzeun e BSH-së dhe orë mësimore për nxënës të klasës VI të shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” me temë “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!”.

Vizitë në një degë banke tregtare

ProCredit Bank vuri në dispozicion për nxënësit e një shkolle të mesme degën e saj të ndërtuar sipas parimit “Zona 24/7”. Nxënësit u njohën konkretisht me shërbimet inovative bankare dhe mësuan avantazhet që sjell për klientët automatizimi i shërbimeve bankare.

Union Bank mirëpriti fëmijët e stafit në moshë shkollore me qëllim edukimin financiar të brezit të ri lidhur me parimet elementare të bankingut dhe kursimit. Gjatë aktivitetit,  fëmijët vizituan degën qendrore të bankës, ku u njohën me procedurat bazë, si dhe produktet e  shërbimet kryesore të bankës.

Leksion i hapur në Universitetin Epoka, Tiranë nga zj. Olta Manjani, kryespecialiste pranë Departamentit të  Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, me temë “Sistemi monetar dhe roli i Bankës së Shqipërisë në  ruajtjen e tij” dhe zj. Suela Totokoci, Drejtore e Departamentit të Thesarit, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, me temë “Roli i bankave në transmetimin e politikës monetare. Përdorimi i monedhës vendase”.

Leksion i hapur në Bankën e Shqipërisë me temë, “Rëndësia e kulturës financiare për sipërmarrësit e rinj dhe për mirëqenien personale”. Leksioni u mbajt nga z. Dritan Mezini, Drejtor i Përgjithshëm i DM-consulting dhe portalit Duapunë.com, i cili iu drejtua një publiku të përbërë kryesisht nga studentë dhe sipërmarrës të rinj, për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kulturës financiare si pjesë e formimit të përgjithshëm të tyre dhe çelës i suksesit të sipërmarrjes.

Një version i lojës së Tregtisë Ndërkombëtare u organizua nga Junior Achievement, në sallën e konferencave Protik me pjesëmarrjen e 30 nxënësve (17-18 vjeç) nga Tirana. Nxënësit u ndanë në ekipe të përbëra prej pesë personash duke vepruar si një “vend” i veçantë. Vendet, të   klasifikuar sipas nivelit të të ardhurave (të larta, mesatare dhe të ulëta), konkurruan me njëri-tjetrin “për të prodhuar” forma letre (rrethore, trekëndësha, drejtkëndësha, etj.) me qëllim shitjen e tyre tek një tregtar që operon në treg ndërkombëtar, me çmime që variojnë sipas kërkesës dhe ofertës. Ekipi fitues u shpall bazuar në të ardhurat e grumbulluara.

Orë e hapur mësimore, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar për Rininë, nën titullin “Mendoj për nesër”, nga zj. Najada Xhaxha, Drejtore e Departamentit të Pagesave, pranë Tirana Bank dhe Kryetare e Komitetit për Sistemet e Pagesave në AAB, me temën “Kultura financiare mbi të ardhurat  personale” dhe zj. Gentiana Duka, Drejtore e njësisë për kredinë personale dhe konsumatore, Alpha Bank Albania, me temë “Kreditë e buta për studentët”. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Qendrës Rajonale Rinore të Tiranës me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme.

Vizitë në Muzeun e BSH-së dhe orë mësimore për nxënës të ciklit fillor të shkollës  9-vjeçare “Servete Maçi”  temë “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!”.

Leksion i hapur në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan nga Juna Bozdo, Përgjegjëse e Sektorit të  Vlerësimit Sistemik, të Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, me temë “Stabiliteti  financiar, roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e tij dhe paketa e deeuroizimit”; Artiola Agalliu, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Riskut, Union Bank, me temë “Stabiliteti financiar, roli i bankave”; dhe Marilda Shkurti nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), me temë “Stabiliteti financiar, roli i skemave të sigurimit  të depozitave në ruajtjen e stabilitetit financiar”.

Leksion i hapur në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, nga Ela Golemi, anëtare e Këshillit  Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Zëvendësdekane në Fakultetin e Kërkimit Shkencor të  Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, me temë “Rëndësia e përdorimit të monedhës sonë  kombëtare në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”; dhe Joarda Mema, përgjegjëse, Sektori i  Zhvillimit të Segmenteve dhe Produkteve në Credins Bank, me temë “Veprimtaria bankare me pakicë (retail):  depozitat dhe dhënia e kredive në monedhën vendase”.

AAB bëhet pjesë e konkursit mbarë evropian, i cili organizohet për herë të parë në vitin 2018, me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve të moshës 13 – 15 vjeç.

Leksion i hapur në UET nga znj. Ediola Biçaku, Drejtuese e Departamentit të Auditit të Brendshëm në Intesa Sanpaolo Bank Albania, me temë “Auditi i Brendshëm në sektorin bankar dhe sfidat në të ardhmen”.

Leksion i hapur në Protik Innovation Center, për nxënës të shkollave të mesme të Tiranës dhe studentë të  universiteteve të ndryshme në vend, nga znj. Linda Shomo, CEO & themeluese e EasyPay, me temë “Paraja  elektronike dhe pagesat në 2020”. Përveç leksionit të hapur, me natyrë interaktive, aktiviteti  vijoi me një quiz të shkurtër që testoi dijet financiare të të rinjve.

Gjatë javës 12-18 mars 2018, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement (JA), Shërbimit Kombëtar për Rininë (SHKR), organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht si ata të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Aktivitetet përfshijnë leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare, orë të hapura mësimore dhe konkurse për njohuritë financiare.

Në datën 12 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2018. Aktiviteti u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në edukimin financiar, përmes zbatimit të programeve edukative dhe hartimit të teksteve mësimore dedikuar arsimit fillor dhe atij të mesëm.

Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh “, i cili thekson rëndësinë e çështjeve që lidhen me paranë. Guvernatori Sejko shtoi se përtej mesazhit që banka dëshiron të përçojë, vlerëson frymëzimin, origjinalitetin dhe të menduarit aktiv, si mënyra më efektive për përthithjen e kësaj teme sa komplekse, aq edhe të prekshme siç janë financat.

Kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, z. Silvio Pedrazzi në fjalën e tij theksoi se fëmijët dhe të rinjtë duhet të marrin njohuri dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të mençura financiare gjatë gjithë jetës. Nëpërmjet shumë aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kësaj jave, duke filluar nga orë mësimore, deri tek vizitat në banka dhe leksione me ekspertët e bankave, synohet përmirësimi i njohurive financiare nëpërmjet edukimit financiar sa më të mirë. Ky vit është i veçantë, sepse për herë të parë AAB bashkohet me nismën e Federatës Bankare Evropiane duke marrë pjesë në Quizin Evropian të Parave.

Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e tre konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Konkursi i parë ishte “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” në të cilën morën pjesë nxënësit e klasave VI të shkollave 9-vjeçare, me projekte kreative, si vizatim, punë dore, të cilat përcjellin qartë konceptin e tyre të administrimit të parasë dhe u mbështet nga Raiffeisen Bank.
Konkursi i dytë i organizuar është ai i videos më të mirë. Konkursi ftoi nxënësit gjimnazistë të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 min. Konkursi u mbështet nga American Bank of Investments
Konkursi i tretë i organizuar është ai i esesë më të mirë me temë “A përbën rrezik përdorimi i euros në transaksionet tregtare në Shqipëri?” dhe u mbështet nga banka Societe Generale Albania.

GALERIA