Forumi AML/CTF 2025:
Sfidat e përputhshmërisë ndaj zhvillimeve teknologjike

Më 20 qershor 2025, u zhvillua në Prishtinë, forumi rajonal për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën kundër Financimit të Terrorizmit (AML/CTF), i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK). Ky aktivitet dëshmon angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për rritjen e përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare në sektorin bankar të Shqipërisë dhe Kosovës.

Forumi mblodhi aktorë të rëndësishëm të sektorit financiar nga të dy vendet, përfshirë përfaqësues të bankave anëtare të AAB dhe SHBK, Njësive të Inteligjencës Financiare, Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Diskutimet u përqendruan në tipologjitë e klientëve me rrezik të lartë, përfshirë rastet e lidhura me call center-at dhe kriptomonedhat, si dhe në sfidat që lidhen me inovacionin, digjitalizimin, Open Banking dhe përgatitjen për SEPA.

Në fjalën përshëndetëse, z. Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i SHBK, dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB, theksuan rëndësinë e ruajtjes së vazhdimësisë së bashkëpunimit dhe të ndarjes së eksperiencave ndërmjet institucioneve. Sfidat e përbashkëta kërkojnë përgjigje të koordinuara, ku shoqatat bankare kanë një rol qendror në orientimin e sektorit drejt standardeve më të larta të transparencës, integritetit dhe sigurisë.

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), përmes përfaqësuesve të Komitetit të Përputhshmërisë dhe bankave anëtare të saj, ndanë përvoja konkrete nga praktika e përditshme dhe ofruan këndvështrime të vlefshme mbi përmirësimin e mekanizmave ekzistues në menaxhimin e risqeve. Teknologjitë e reja dhe modelet që optimizojnë përputhshmërinë me detyrimet ligjore ishin një tjetër pikë kyçe e diskutimeve, duke nxjerrë në pah nevojën për zgjidhje të qëndrueshme dhe të aplikueshme në nivel rajonal.

Forumi nuk ishte vetëm një hapësirë diskutimi, por një platformë konkrete për harmonizimin e praktikave dhe përgatitjen për përmbushjen e kërkesave të Moneyval në të dy vendet. Pjesëmarrja e gjerë, përfshirë institucionet mbikëqyrëse dhe ekspertë të fushës, e bëri këtë forum një pikë referimi për avancimin e mëtejshëm të sektorit bankar.

GALLERY