Factoring dhe Financimi i zinxhirit të furnizimit në fokus: Workshop i FCI dhe AAB në Tiranë

Më 3 shkurt, në Tiranë, *FCI në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB) organizuan workshop-in “Factoring and Supply Chain Finance”, një aktivitet praktik i dedikuar forcimit të njohurive mbi zgjidhjet moderne të financimit të kapitalit qarkullues dhe tregtinë më të sigurt.
Workshop-i mblodhi përfaqësues të bankave tregtare në Shqipëri, të cilët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi strukturat kryesore të factoring dhe supply chain finance, mekanizmat e funksionimit dhe avantazhet që këto instrumente ofrojnë për bizneset dhe institucionet financiare.
I udhëhequr nga Drejtori Rajonal i FCI, z. Spyros Tsolis, aktiviteti përfshiu prezantime mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, qasjet bashkëkohore të menaxhimit të riskut, si dhe aspektet ligjore dhe rregullatore që ndikojnë në zbatimin efektiv të këtyre produkteve financiare.
Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive dhe sesione praktike, duke trajtuar në mënyrë konkrete dallimet mes factoring dhe reverse factoring, identifikimin e risqeve kryesore dhe kërkesat organizative për ndërtimin dhe operimin e këtyre produkteve brenda institucioneve bankare.
Ky aktivitet forcon angazhimin e FCI dhe AAB për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sektorin bankar dhe për të promovuar përdorimin e instrumenteve financiare inovative që kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit në Shqipëri.
*FCI është organi përfaqësues global për factoring-un dhe financimin e llogarive të hapura të arkëtueshme nga tregtia vendase dhe ndërkombëtare.



