COELA dhe Presidenca Daneze e Këshillit të BE-së në Tiranë

Më 10 tetor 2025, COELA – Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim i Këshillit të Bashkimit Evropian, i shoqëruar nga përfaqësues të presidencës daneze të Këshillit të BE-së, zhvilloi një takim me institucionet shqiptare që luajnë rol kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në kuadër të këtij paneli diskutimi, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), z. Spiro Brumbulli, prezantoi një përmbledhje të reformave dhe zhvillimeve në sektorin bankar shqiptar, duke theksuar avancimin e digjitalizimit, mbështetjen për ekonominë dhe sfidat e ardhshme për stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme të sektorit.
Z. Brumbulli vuri në dukje rëndësinë e reduktimit të përdorimit të parasë fizike, fuqizimit të kanaleve alternative të pagesave dhe luftës kundër informalitetit, si hapa kyç drejt një ekonomie transparente, të qëndrueshme dhe zhvilluese.
Takimi ripohon angazhimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke vlerësuar reformat konkrete dhe zbatimin e tyre efektiv.