Bankat, të vonuara apo promotore të dixhitalizimit?
Të gjitha bankat pa përjashtim sot ofrojnë shërbimin e internet banking, si edhe karta dhe terminale për të kryer dhe për të pranuar pagesa elektronike. Pjesa dërrmuese e pagesave që kalojnë nga sektori bankar sot mund të kryhen në kanale dixhitale. Sistemi bankar duket të jetë ndër sektorët më të avancuar në ofrimin dhe promovimin e dixhitalizimit të shërbimeve.
Ersuin Shehu
Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Komitetit të Sistemit të Pagesave, u evidentuan përparime të rëndësishme për sa i takon depërtimit të shërbimeve bankare në shoqërinë shqiptare. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë rreth 66% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Në vitin 2018, kur nisi zbatimin strategjia kombëtare e pagesave me vlerë të vogël, vlerësohej se vetëm 40% e shqiptarëve të rritur e kishin një llogari në bankë. Vlerësimet tregojnë se gjatë katër viteve të fundit ky tregues është përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe është një ndër indikatorët që ilustrojnë rolin në rritje të bankave në shoqërinë shqiptare. Bankat kryejnë funksionin e rëndësishëm të ndërmjetësit financiar në shoqëri: ato pranojnë depozita, japin kredi dhe mundësojnë kryerjen e pagesave, duke qenë hallkë e rëndësishme e funksionimit dhe zhvillimit të ekonomisë. Në ekonominë shqiptare roli i tyre është edhe më i lartë krahasuar me ekonomi më të zhvilluara, edhe për shkak të mungesës së tregjeve të kapitalit. Një depërtim më madh i shërbimeve bankare në shoqëri është i rëndësishëm për më shumë përfshirje financiare, por edhe për të ulur informalitetin, për të kultivuar konkurrencë të ndershme mes bizneseve në tregje dhe për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit. Zhvillimet e shpejta teknologjike janë reflektuar edhe në kanalet e ofrimit të shërbimit nga sektori bankar. Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve të pagesave bankare, ofrohen në distancë nëpërmjet internet banking, kartave dhe terminaleve automatike për procesimin e pagesave. Madje, edhe një pjesë e shërbimeve të tjera që nuk lidhen direkt me pagesat mund të merren në distancë, nëpërmjet aplikacioneve bankare.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kanalet dixhitale që ofron sektori bankar ende nuk shfrytëzohen plotësisht nga klientët, në të gjitha dimensionet dhe potencialet e veta. Kjo është e lidhur me informalitetin ende të lartë, varfërinë dhe edukimin e pamjaftueshëm financiar, sfida të mëdha dhe afatgjata për shoqërinë. Shërbimet për të cilat ngelet e domosdoshme prania fizike janë kryesisht ato të lidhura me nevojën për firmë të klientit në një kontratë të detryueshme ligjore, si për shembull kontratat e kredisë, ato të hapjes/mbylljes së llogarive rrjedhëse, etj. Pamundësia për të ofruar këto shërbime në distancë nuk vjen edhe aq nga mungesa e vullnetit të bankave, por kryesisht për shkak të paqartësive ligjore që ekizstojnë ende lidhur me nënshkrimin në distancë. Si bankat, ashtu edhe institucionet financiare jobanka, në vitet e fundit po lobojnë për të krijuar një kuadër të qartë ligjor dhe teknik që do të mundësonte nënshkrimin e kontratave në distancë.
[1] Marë me shkurtime nga revista Monitor Nr. 19, 9 – 16 maj 2022, fq 40 – 45
Shoqata e Bankave: Nuk jemi të vonuar në dixhitalizim
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se shërbimi që ofrojnë sot bankat shqiptare ka evoluar ndjeshëm në dekadën e fundit, me një orientim të qartë drejt automatizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve. Sipas tij, ATM-të janë bërë si një mini degë bankare, ku mund të tërheqësh dhe të depozitosh para’, të kryesh pagesa dhe të marrësh informacion. Ndërsa e-banking është shërbim që shoqëron mbajtësin e llogarisë kudo që ndodhet, mjaft të ketë një smartphone ose një kompjuter dhe internet. Sipas tij, vetëm në bankomate (ATM) dhe pikat elektronike të shitjes, bankat kanë investuar mbi 20 milionë euro, përfshirë rinovimin e fondit të ATM-ve dhe zëvendësimin me pajisje që mundësojnë zgjidhje më të avancuara. Sot të gjitha bankat ofrojnë shërbimin e internet banking. Sipas ekspertëve, vetëm për të ngritur një platformë e-banking nevojitet një investim mesatar prej rreth 400 mijë Eurosh, por kjo shumë mund të jetë edhe shumë më e madhe në madhësi të shërbimeve dhe funksionaliteve që ofron. Më tej, këto platforma kanë kosto periodike mirëmbajtjeje dhe funksionmi që, gjithmonë siaps ekspertëve, janë në intervalin midis 10% dhe 20% të vlerës së investimit çdo vit. Nëse do të bëjmë një llogari mbi vlerat mesatare, atëherë për të 12 bankat tregtare në Shqipëri vetëm kosto e ngritjes së platformave të e-banking është rreth pesë milionë Euro, ndërsa ato shpenzojnë çdo vit 500 mijë deri në 1 milionë Euro për mirëmbajtjen e tyre. Të gjitha këto investime kanë mundësuar kanalizimin e pjesës dërrmuese të pagesave në kanale elektronike. Z. Brumbulli vë në dukje se një biznesi të formalizuar nuk i lind nevoja të shkojë në degë banke për të kryer pagesa, me përjashtim të rastit të transfertës ndërkombëtare. Një individ ose biznes nëpërmjet shërbimit online sot mund të kontrollojë llogaritë, të marrë lëvizjet në llogari, të paguajë pagat e punonjësve, të paguajë sigurimet shoqërore, tatimin mbi të ardhurat, TVSH e taksa të tjera, të transferojë para nga një llogari në një tjetër brenda bankës dhe midis bankave, të bëjë çdo pagesë brenda vendit, në Lekë dhe euro, maksimumi brenda ditës së nesërme të punë, të konvertojë monedha dhe të paguajë shërbimet utilitare bazë. Së fundmi, janë krijuar kushtet që edhe hapja e llogarisë të kryhet online si dhe aplikimet për kredi të kryhen online. Lidhur me dixhitalizimin e pagesave për shërbimet e institucioneve dhe kompanive publike, ai shprehet se bankat kanë dhënë mbështetje të plotë për pagesat e shërbimeve utilitare nëpërmjet kanaleve të ndryshme.
“Përfshirja e bankave në reformën e energjisë së qeverisë në vitet 2014 – 2015 zhduku radhët nga sportelet e OSHEE për pagimin e faturave. Sot nuk diskutohet më për pagesën e faturës së energjisë, ujit, telefonit. Bankat ishin garancia e realizimit të reformës. Në vitin 2020, gjatë mbylljes nga covid-19, bankat përshtatën gjithë mënyrën e punës për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit bankar. U rrit operimi nëpërmjet shërbimeve online, por edhe degët nuk u mbyllën për asnjë orë,” thotë ai.
- Brumbulli nënvizon gjithashtu se në dy vitet e fundit janë realizuar të tjera projekte të rëndësishme të lidhura me dixhitalizimin, si regjistri qendror i llogarive bankare, shkëmbimi i informacionit, regjistri i pronarëve përfitues dhe fiskalizimi.
“E pamundur që ato të realizoheshin pa përfshirjen dhe mbështetjen e plotë të bankave! Edhe nëse ka pasaktësi apo funksionim me defekte, këto janë edhe për shkak se zëri i bankave nuk u dëgjua si duhet nga ata që i zbatuan teknikisht. Nëse do të ishin dëgjuar më mirë bankat, nuk do të kishim problemet që ndeshim sot dhe me shumë sforca po mundohemi t’i fiksojmë.
Së fundmi ka dalë në rend të ditës kryerja e pagesës për shërbimet publike në mënyrë online. Bankat e mirëpresin si një iniciativë e re, në kohën e duhur dhe mbështesin pa rezerva çdo lloj bashkëpunimi për ta realizuar sa më shpejt. Por aspak për shkak se bankat janë me vonesë në digjitalizim!” shprehet ai.
Pjesa më e madhe e pagesave për shërbimet publike ende nuk kryhet online, sepse kërkohet të vendoset lidhje midis paguesit bankës së tij dhe përfituesit të pagesës që mund të jetë Thesari ose një institucion shtetëror). Kjo kërkon zhvillime teknologjike nga të dyja palët, por z. Brumbulli thotë se bankat e kanë bazën dhe kërkohet integrim dhe zhvillim sipas karakteristikave të përfituesit.
“Sot këto shërbime kryhen pranë degëve të bankave. Në rastin që klienti dhe përfituesi ndodhen në të njëjtën bankë, pagesa kryhet në kohë reale. Nëse janë në banka të ndryshme, pagesa ka disa specifika. Tjetra që nuk mund të bëhet, janë transfertat ndërkombëtare për shkak të specifikave të procesit të realizimit të transfertës, ku merr pjesë edhe një bankë korrespondente,” thotë ai.
Një çështje tjetër që do të lehtësonte shumë automatizimin dhe dixhitalizimin është mundësia për të kryer nënshkrim ligjor të kontratave dhe dokumenteve të tjera në distancë. Kjo ngelet një çështje ende e ndërlikuar nga pikëpamja ligjore dhe teknike, megjithatë bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë shtuar përpjekjet vitin e kaluar për të krijuar mundësitë e nënshkrimit elektronik në distancë. Kjo do të ulte më tej nevojën për praninë fizike të klientëve në degët e bankave.
“Hapësirë tjetër është përdorimi i nënshkrimit elektronik. Nëse realizohet edhe kjo, për të cilën po punohet nga bankat, atëherë as për kontratë kredie apo për kontratë depozitë apo për çdo lloj dokumenti tjetër nuk të lind nevoja të shkosh në degë. Edhe pse këto janë të shpeshta si kategori produkti, një individ nuk është se merr kredi përditë apo hap përditë depozitë. Pra, është një shërbim që ishte me prioritet pak më të ulët në krahasime shërbimet e tjera më të shpeshta, por edhe për paqartësi të kuadrit ligjor,” thotë z. Brumbulli.
Veprimet me E-banking u rritën me 25% vitin e kaluar
Megjithëse shërbimet e bankingut në distancë kanë ende potenciale të mëdha rritjeje, fakt është se përdorimi i tyre u rrit për të gjashtëmbëdhetin vit radhazi gjatë 2021. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 5.13 milionë. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e zgjeruan numrin e veprimeve bankare në distancë me 24.5% ose me mbi një milionë veprime më shumë. Veprimet bankare në distancë ose veprime të home banking në pjesën dërrmuese janë veprimet bankare që kryhen nëpërmjet internetit apo aplikacioneve në telefonat celularë. Rritja e përdorimit të shërbimeve home banking është e ndjeshme edhe në vlerë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2021 volumi total i transaksioneve arriti në më shumë se 1.2 trilionë lekë, në rritje me 15.5% krahasuar me një vit më parë. Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri.
Edhe të dhënat e para të këtij viti dëshmojnë vijimësi të kësaj tendence në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë 2022, numri i transaksioneve home banking arriti në pothuajse 1.3 milionë, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është e konsiderueshme edhe në vlerën e veprimeve të kryera, që arriti në 312 miliardë lekë, afërsisht 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët.
Në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. 89% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 22% më shumë. Për sa i përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 13.7%.
Përdorimi i kanaleve bankare alternative po mbështetet nga zhvillimet e shpejta teknologjike, ndërsa një shtysë të mëtejshme dha edhe pandemia, që ndërgjegjësoi një pjesë të mirë të publikut se shumë shërbime bankare dhe kryesisht ato të lidhura me pagesat mund të merren pa qenë nevoja për të shkuar në bankë. Pagesat elektronike janë nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej mesit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision. Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave. Gjithashtu, ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” që pritet të bëhet i zbatueshëm këtë vit do të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave. Ai mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë. Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.