AAB organizon tryezën e parë institucionale ndërmjet bankave tregtare dhe IPE-ve mbi zhvillimet në shërbimet e pagesave

Në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të tregut financiar, AAB ishte nismëtare dhe organizatore e tryezës së parë të diskutimit ndërmjet bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, dhe përfaqësuesve të institucioneve të parasë elektronike dhe pagesave (IPE), me praninë e Bankës së Shqipërisë.

Për të garantuar një trajtim sa më gjithëpërfshirës dhe efikas të çështjeve të ngritura, AAB siguroi pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektorët e Përputhshmërisë dhe IT-së të të gjitha bankave anëtare.

Në fjalën hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli, theksoi se bankat dhe IPE-të duhet të konsiderohen si bashkë-aktorë të sistemit financiar, ku zhvillimi i përbashkët sjell përfitime për të gjithë sektorin financiar.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e IPE-ve evidentuan çështje që kërkojnë sqarim të mëtejshëm, veçanërisht në lidhje me ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve financiare dhe trajtimin e llogarive të depozitave. U theksua rëndësia e sigurimit të aksesit në llogaritë SafeGuard dhe nevoja për qartësi mbi mënyrën e administrimit të tyre nga pikëpamja operacionale dhe e përputhshmërisë.

Një tjetër tematikë me rëndësi ishte qasja në llogaritë e biznesit përmes Open Banking, një praktikë që aktualisht nuk është e zbatueshme.

Z. Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, nënvizoi nevojën për rritjen e përfshirjes së IPE-ve edhe në sistemin SEPA, si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit gjithëpërfshirës të sektorit financiar dhe përmirësimit të shërbimeve për publikun.

Në përfundim të takimit, palët ranë dakord që institucionet e parasë elektronike dhe pagesave do t’i drejtohen zyrtarisht Bankës së Shqipërisë me një kërkesë për sqarim dhe unifikim të praktikave për secilin aktor, për detyrimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella ndërmjet bankave dhe IPE-ve, me synim lehtësimin dhe përshpejtimin e proceseve të përbashkëta. Banka e Shqipërisë konfirmoi gatishmërinë për të trajtuar çdo paqartësi apo kërkesë për mbështetje që lidhet me këto çështje.

Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të dialogut institucional dhe ishte i pari në formatin e një tryeze të përbashkët ndërmjet bankave tregtare, institucioneve të pagesave dhe Bankës së Shqipërisë, organizuar nga AAB.