Bankat tregtare mundësojnë pagesat e menjëhershme: transfertat kombëtare kryhen në kohë reale

Prej datës 23 nëntor 2026, klientët e bankave tregtare pjesëmarrëse në sistemin IPSA (TIPS Clone) kanë një mundësi të re për kryerjen e transfertave kombëtare: pagesa të menjëhershme në lekë dhe euro. Për herë të parë, transfertat ndërmjet bankave të ndryshme mund të realizohen brenda dhjetë sekondash, në çdo ditë dhe orë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Ky shërbim e bën më të shpejtë dhe më të lehtë menaxhimin e pagesave të përditshme për individët dhe bizneset. Për ta kryer transfertën, klientët përzgjedhin opsionin e pagesës së menjëhershme përmes kanaleve digjitale të bankës së tyre, ndërsa fondet mbërrijnë në llogarinë e përfituesit brenda pak sekondash. Për bizneset, kjo do të thotë qasje më e shpejtë në fondet e marra dhe më shumë fleksibilitet në administrimin e flukseve financiare.

Përpos shpejtësisë, pagesat e menjëhershme ofrojnë edhe avantazhe në kosto. Tarifa e një transferte të menjëhershme nuk mund të jetë më e lartë se ajo e një transferte të zakonshme me të njëjtën monedhë dhe karakteristika. Gjithashtu, transfertat e menjëhershme deri në 40,000 lekë, të kryera përmes aplikacioneve bankare, ofrohen pa komision.

Për bankat tregtare, ky zhvillim përfaqëson një zgjerim të rëndësishëm të shërbimeve digjitale dhe të mundësive që ato u ofrojnë klientëve. Në vijim të anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA, IPSA kontribuon në modernizimin e mëtejshëm të pagesave në vend dhe në përafrimin e infrastrukturës kombëtare me standardet evropiane.

IPSA bazohet në platformën TIPS Clone, të zhvilluar dhe operuar nga Banka e Italisë, e cila përdor të njëjtën teknologji si shërbimi TIPS i Eurosistemit. Projekti u realizua nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe pjesëmarrjen e bankave tregtare në procesin e zbatimit dhe testimit.

Shoqata Shqiptare e Bankave i uron qytetarëve dhe bizneseve përdorim sa më të shpejtë të pagesave të menjëhershme!

Faleminderit anëtarëve që realizuan në afat një projekt tjetër të rëndësishëm në arkitekturën e sistemit të pagesave në vend!

SHARE