Leksion i hapur: Siguria në botën digjitale. Si të mbrohemi nga mashtrimet online?

Përdorimi i përditshëm i teknologjisë dhe shërbimeve online i ekspozon të rinjtë ndaj mundësive të shumta, por edhe ndaj rreziqeve që lidhen me sigurinë digjitale. Njohja e formave të mashtrimeve online dhe aftësia për t’i identifikuar ato në kohë janë thelbësore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare.
Për të trajtuar këto sfida dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi sigurinë online, më 16 nëntor, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një leksion të hapur me rreth 40 studentë të vitit të dytë të programit të studimit Financë në Universitetin Europian të Tiranës, me fokus te format më të përhapura të mashtrimeve online, mënyrat e identifikimit të tyre dhe masat konkrete që mund të ndërmerren për të lundruar në mënyrë më të sigurt në mjedisin digjital.
Leksioni u drejtua nga z. Reglendi Xhango, Kryetar i Komitetit të Sigurisë Kibernetike pranë AAB dhe Menaxher i Departamentit të Sigurisë në OTP Bank Albania. Përmes shembujve nga praktika profesionale dhe rasteve konkrete, ai ndau me studentët këshilla për të dalluar situatat e rrezikshme dhe për të reaguar në mënyrën e duhur.
Diskutimi interaktiv në vijim u dha studentëve mundësinë të bënin pyetje dhe të ndanin shqetësimet e tyre, duke e kthyer sesionin në një komunikim të hapur dhe sipas interesave të pjesëmarrësve.
Nisma të tilla janë pjesë e angazhimit të AAB për të rritur njohuritë dhe aftësitë e të rinjve në përballimin e sfidave të sigurisë digjitale.


