MPAY dhe Bankart prezantojnë modelin e shërbimeve të pagesave të menjëhershme në Shqipëri

Pagesat e menjëhershme janë një zhvillim i rëndësishëm për modernizimin e sistemit të pagesave në Shqipëri dhe kalimin drejt një ekonomie më digjitale. Zbatimi i tyre pritet të rrisë përfshirjen financiare, të reduktojë përdorimin e parasë fizike dhe kostot e transaksioneve për bizneset dhe konsumatorët, si dhe të mundësojë transferta më të shpejta e të sigurta dhe zgjerimin e shërbimeve financiare.
Në vijim të këtyre zhvillimeve në vend, më 2 nëntor, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me MPAY dhe Bankart, organizoi workshop-in “Overlay Services & Scheme for the Albanian Market”, gjatë të cilit MPAY dhe Bankart prezantuan propozimin e tyre për zhvillimin e shërbimeve dhe skemës së pagesave të menjëhershme për tregun shqiptar.
Të pranishëm ishin përfaqësues të sektorit bankar, të angazhuar në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave. Diskutimet u përqendruan te modelet praktike të zbatimit, qeverisja e skemës, si dhe funksionalitetet dhe shërbimet me vlerë të shtuar që mund të ofrohen përmes këtij sistemi.
Workshop-i krijoi hapësirë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi modelet e mundshme të bashkëpunimit dhe hapat konkretë drejt zbatimit të skemës, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet bankave dhe aktorëve të tjerë të tregut.





